Google ADS

Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, nuk është Zenun Pajaziti

13:45 | 14 Gusht 2017
arbresh.info

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre me të cilat do të garojnë në garën për Kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet e tetorit, këtë akoma nuk e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Por, nga radhët e këtij subjekti politik, deri më tani është Gani Neziri, ai i cili publikisht ka shprehur ambicien e tij për të qenë kandidat i PDK-së, për Kryetar të Komunës së Gjilanit, raporton 2LONLINE.

gani_neziri-1

Madje ai thotë se, dita ditës, po shtohet mbështetja e bashkëpartiakëve dhe përkrahësve të PDK-së, për këtë, dhe se tani shpreson dhe beson fuqishëm se do ta fitojë besimin e plotë të partisë për të qenë edhe zyrtarisht i nominuar nga shefi i partisë, Kadri Veseli, transmeton arbresh.info.

“Brenda kësaj jave pritet që edhe Dega e PDK-së në Gjilan të nominojë kandidatin e saj dhe se kujtoj se do të zyrtarizohet emri im. Publiku është në dijeni se nga radhët e PDK-së, deri më sot, vetëm unë kam paraqitur publikisht ambicien time për të qenë kandidat për Kryetar Komune, gjithsesi me mbështetje të pjesë më të madhe të anëtarëve të Kryesisë së degës dhe se shpresoj se, së shpejti edhe pjesa tjetër e kryesisë, do të reflektojë pozitivisht për mua, për të shtuar besimin në fuqinë e fitores time”, ka thënë Neziri për Portalin 2LONLINE.

I pyetur për të komentuar kandidaturat e subjekteve rivale, që tani më veç janë zyrtarizuar, siç është rasti me LDK-në që do të kandidojë Lutfi Hazirin si dhe Lëvizja Vetëvendosje, që do të garojë me Sami Kurteshin, në zgjedhjet e tetorit, Neziri thotë se nëse zyrtarizohet kandidatura e tij, do të hyjë në garë me këta dy kundërkandidatë, por thotë se “do të mund të punoja më mirë, më shumë, e më shpejtë dhe se do të punoja gjatë gjithë vitit/ mandatit, e jo vetëm pak para fushatave zgjedhore.”

Deri më tani është përfolur kandidatura e ish-shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, se do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

PDK-ja ende nuk i ka zyrtarizuar kandidatët e saj për kryetar nëpër komuna./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme