Google ADS

Kandidati i parë shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu: Angazhohem për më shumë Europë

12:24 | 17 Maj 2024
E.K

Muharrem Salihu është shqiptari i Medvegjes që kërkon të sigurojë një ulëse në Parlamentin Europian në zgjedhjet e qershorit.

Saliu është shqiptari i parë që propozohet për të kandiduar për eurodeputet dhe në fokus të punës së tij do të ketë pikërisht ngritjen e problemeve social-ekonomike të shqiptarëve, që jetojnë në Europë.

Në një intervistë për RTSH24, Salihu u shpreh se ai do të “luftojë” për më “shumë Europë në Shqipëri dhe për shqiptarët pasi ne jemi pjesë e kësaj familjeje”.

“Kam kërkuar të adresoj problemet e karakterit social-ekonomik që ballafaqojnë shqiptarët në jug të Serbisë dhe jo vetëm. Unë kam lindur në Medvegjë dhe jam rritur me ndjesinë që i përkas një niveli të karakterit të dytë. Pikërisht për këtë në radhë të parë dua që të arrijë sa më lartë dhe të them me krenari që jam shqiptar.

Do të kontribuoj për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Europë dhe do angazhohem për më shumë Europë në Shqipëri dhe në trojet tona, ne jemi pjesë e Europës. Ne si subjekt angazhohemi për më shumë Europë, ku dhe siguria e kontinentit është në pikëpyetje për ndërhyrjet nga palë të treta dhe të influencojë në ekonominë europiane. Kur flasim për ekonomi është siguria në pikëpyetje, Gjithashtu kërkojmë që të ndryshojmë mënyrën e votimit ku çdo kandidat të votohet përtej vendit të tij gjeografik ku kandidon”, tha Salihu.

Salihu është kandiduar nga partia italiane “Shtetet e Bashkuara të Europës” nga kryetarja e saj Ema Bonino (Emma). Po çfarë pa ajo te kandidati shqiptar?

“Ajo është treguar largpamëse, siç ka bërë vazhdimisht, sepse nëse shohim subjektin që ajo drejton dhe trajton tema që janë aktuale. Ajo ka identifikuar angazhimet e mia që përputhen më shumë me pikëpamjet e subjektit që ajo drejton”, u shpreh ai.

Një koment z. Salihu e ka pasur edhe për takimet e kryeministrit Edi Rama me diasporën, duke i vlerësuar këto si të domosdoshme.

“Duhen marrë parasysh kërkesat e emigrantëve si e drejta e votës. Kur një kryeministër shqiptar takohet me diasporën duhet të përkrahet pasi kur takimet bëhen jashtë trevave shqiptare duhet të përkrahen nga të gjithë”, tha Salihu.

Muharrem Salihu kandidon në verilindje të Italisë dhe sqaroi mënyrën si mund të votohet për të.

“Për zgjedhjet europiane votohet duke shkruar emrin e kandidatit dhe meqë emri im është i komplikuar. Kam bërë kërkesë që ta zëvendësojë me Marko pasi kjo do të lehtësonte punën për çdo votues. Do mjaftonin të shkruanin Marko për çdo votues. Njësia zgjedhore është territori verilindor i Italisë i përbërë nga 4 rajone”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme