Kandidatët për studentë të rinj në UP po kthehen, s’ka sot konkurs

12:05 | 6 Korrik 2017
Arbresh.info

Ministria e Arsimit ka lajmëruar se sot bëhet hapja e konkursit për pranimin e 15 mijë e 255 studentëve të rinj.

Mirëpo, Arbresh.info ka mësuar nga terreni se në asnjë prej Fakulteteve nuk është hapur konkursi dhe se studentët po kthehen.

Disa kandidatë për studentë që sot kanë shkuar në Fakultetin Ekonomik për të aplikuar i kanë thënë portalit se po kthehen me arsyetimin se Ministria e Arsimit nuk ka qenë e gatshme të hap sot konkursin.

Njëjtë ka ndodhur edhe në Fakultetin Filologjik dhe në Fakultete të tjera.

Mirëpo Faton Fetahu, nga Ministria e Arsimit ka thënë për Arbresh.info se Ministria nuk është ajo që e hap konkursin por vetëm përcakton numrin e studentëve që mund të pranohen dhe kuotat e pranimit.

“Duhet ta keni të qartë që Ministria e Arsimit vetëm cakton numrin e studentëve që duhet të pranohen dhe kuotat e pranimit, asgjë më shumë”, ka thënë Fetahu.

Portali ka kontaktuar edhe me zyrën e rektorit të UP-së, Marjan Dema mirëpo ata nuk kanë qenë në gjendje që të japin informata duke kërkuar që të kontaktohen më vonë për informacion në lidhje me këtë çështje.

Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255, ndërsa shtesë e këtij numri do të jetë edhe kuota prej 12 për qind për studentët e komuniteteve joshumicë dhe në disa universitete do të ketë edhe kuota për kandidatët e viseve tjera shqiptare (Shqipëri, Luginë e Preshevës, Maqedoni, Mal i Zi), si dhe për familjarë të ngushtë të dëshmorëve të Kosovës./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme