Mërgata kosovarë përbën një të tretën e popullsisë në Kosovë, madje e përfshirë edhe në listat zgjedhore me qindra mijëra votues, por edhe kësaj here, në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës, do të mbetet pa vende të rezervuara në Parlament. Megjithatë janë disa nga kandidatët që garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit, që kanë bagazh nga diaspora dhe shpesh njihen si “zviceranë” ose “gjermanë”.
Në këto zgjedhje janë dy kandidatë nga diaspora, Faton Topalli dhe Sami Kurteshi, që garojnë nën flamurin e Lëvizjes Vetëvendosje. Avdil Halimi është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në këto zgjedhje është në koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re të biznesmenit Behgjet Pacolli. Ndërsa Gjyljeta Kuçi dhe Gani Dreshaj janë kandidatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila garon në një listë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe partinë Nisma për Kosovën.
Avdil Halimi mban numrin 44 të LDK-së, ndërsa njihet si biznesmen i diasporës që ka ardhur në Kosovë, kurse me origjinë është nga Lugina e Preshevës. Ai është i nominuar nga Lëvizja Qytetare “Vatra”, ndërsa thotë se çështja e parë që do ta ngritë në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës, do të jetë ndryshimi i ligjit të shtetësisë.
Ai pohon se si deputet i Parlamentit të Kosovës, nuk do të lejonte që qytetarët e Kosovës Lindore të mbeten si deri më tash, qytetarë të rëndit të dytë e tretë. Dhe se do të punohet në përshpejtimin e procesit për pajisen me dokumente të përkohshme dhe përhershme të shtetësisë së Kosovës.
Faton Topalli mban numrin 16 në listën e Vetëvendosjes, ndërsa për vite me radhë ka jetuar në Zvicër. Ai ka qenë edhe në mandatin e kaluar deputet i Kuvendit të Kosovës nga LVV, ndërsa shumëherë nga oponentët politikë, është quajtur si “zvicerani”. Ai në disa debate e merr Zvicrën si shembull të funksionimit demokratik dhe ligjor.
Topalli i lindur në Prishtinë, me banim në Ferizaj, ka studiuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Cyrih. Ai ka punuar në shërbimin psiko-social në Zvicër, si ligjërues i jashtëm në Fakultetin e shkencave sociale në Cyrih që nga viti 2007, dhe si ekspert i praktikës për diplomim në ZHAW. Topalli, siç thuhet ka qenë i angazhuar në mbrojtjen e interesave të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër si përfaqësues joformal i bashkësisë shqiptare në po të njëjtin shtet.
Ndërsa Sami Kurteshi, ish avokat i Popullit për një mandat, tani garon si kandidat i Vetëvendosjes me numër 35. Si ish i burgosur politik, Kurteshi po ashtu ka një të kaluar të gjatë në Zvicër. Në shtetin helvetik ai studioi shkencat politike, sociologjinë dhe të drejtën ndërkombëtare në universitetin e Cyrihut.
Në vitin 2006 ai merr titullin magjistër i shkencave politike. Ai ka punuar në institucione të rëndësishme shtetërore në Zvicër, ku në periudhën prej 1997-2001 ishte bashkëpunëtor i Organizatës Zvicerane për Refugjatë (Schweizerische Flüchtlingshilfe SFH). Tani nga pozita e avokatit të Popullit, ka hyrë në politikë.
Po ashtu si “gjak” i diasporës janë edhe Gjyljeta Kuçi dhe Gani Dreshaj që kandidojnë në petkun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që ka të nominuar liderin Ramush Haradinaj për kryeministër të ardhshëm. Dreshaj që ka numrin zgjedhor 80, njihet si biznesmenë i suksesshëm në Gjermani, por edhe në Kosovë. Ai i është bashkuar AAK-së dhe është kryetar i Degës së AAK-së për Istog.
Ndërkaq, Gjyljeta Kuçi është mbiemri i saj me të cilin njihet ajo pas martesës me futbollistin e njohur Shefki Kuçi nga Vushtrria. Ajo ka qenë mis fotogjene e vitit 2003 dhe këngëtare nga Vushtrria, ndërsa në këto zgjedhje gjendet në listën e kandidatëve për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me numër 96.
Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh: Do jap ...
Krimet ekonomike në Komunën e Graçanicës, dy persona shoqëro...
Mbledhja e KQZ-së dështon, VV revoltohet për afatin e regjis...
Nesër, nga ora 15:00, mbyllet qarkullimi në segmentin Kijevë...
Ismaili: Dërgesat e mërgatës deri në muajin shtator 2024 arr...
Leo i nervozuar me veprimin e Vullnetit