Në listat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike janë radhitur edhe persona, të cilët kanë probleme me ligjin. Meqë në aspektin juridik kandidimi i personave me aktakuza nuk është i ndaluar, njohësit e drejtësisë kërkojnë nga subjektet politike që kandidimin e tyre ta ndalojnë me rregullore e me statute të partive, shkruan sot gazeta “Zëri”
Edhe pse krerët e partive politike në vend ka kohë që kanë proklamuar dekriminalizimin e politikës, një gjë të tillë ndonëse e kanë mundësinë nuk po e bëjnë tash në prag të zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor. Në listat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike gjenden jo pak persona që po hetohen për probleme me ligjin, persona që kanë qenë të dënuar për vepra penale ose kanë aktakuza të ngritura për “Korrupsion”. Pal Lekaj, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj e Gani Dreshaj janë disa nga kandidatë për deputetë në listën e koalicionit AAK – PSD, të cilët kanë probleme me ligjin. Partia Demokratike e Kosovës, kreu i së cilës i ka shpallur luftë korrupsionit, ka publikuar të dielën listën e kandidatëve për deputetë, në të cilën nuk ka përfshirë të tillë me aktakuza ose të dënuar për “Korrupsion”.
Mirëpo në listë ka të dënuar për “Krime lufte” e për vepra të tjera penale, të cilat nuk kategorizohen si korruptive. Në listën e LDK-së postin e deputetit e pretendonte edhe Haki Raçi, tashmë i dënuar për “Korrupsion”, mirëpo kreu i LDK-së Isa Mustafa ka njoftuar se personat që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin do të nxirren nga lista. Ndërsa në listën e Lëvizjes Vetëvendosje Jetmira Vrenezi do të kandidojë për deputete, e cila aktualisht është nën hetime për “Keqpërdorim detyre”.
Në koalicionin Nisma – AKR kandidat për deputetë do të jetë edhe ish-ministri Endrit Shala, i dënuar për “Armëmbajtje pa leje”. Edhe pse kandidimi për deputetë i personave të dënuar ose me aktakuza nuk ndalohet me ligj, aspekti etik po konsiderohet si element parësor që do të duhej t’i ndalonte këta persona të marrin pozita udhëheqëse e përfaqësuese në vend.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...