Kancelari austriak Alexander Schallenberg njoftoi të enjten se po jep dorëheqjen, një vendim që vjen vetëm dy muaj nga marrja e kësaj detyre, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij Sebastian Kurz. Ky i fundit po hetohet rreth dyshimeve për korrupsion.
Zoti Schallenberg, i cili ka shërbyer më parë në detyrën e ish-ministrit të Jashtëm, tha se do të largohej nga detyra, sapo Partia Popullore austriake, me qasje konservatore, të emëronte një udhëheqës të ri.
Partia drejtohej nga zotit Kurz, por ai njoftoi vetëm disa orë më parë se do të largohej nga politika për të kaluar më shumë kohë me familjen.
Zoti Schallenberg mori detyrën e kancelarit në tetor pas dorëheqjes së zotit Kurz. Prokurorët kishin njoftuar se zoti Kurz ishte prej personave që po hetohej rreth dyshimeve për marrje ryshfeti e shkelje të besimit. Të Gjelbrit, partnerët e vegjël të koalicionit në qeverinë e zotit Kurz, kërkuan zëvendësimin e tij.
Zoti Kurz dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë akuzohen se janë përpjekur të sigurojnë ngritjen e tij në drejtimin e partisë e të vendit, me ndihmën e sondazheve të manipuluara dhe falë raporteve miqësore me media të financuara me para publike. Në 2017 ai u bë udhëheqës i Partisë Popullore austriake dhe më pas kancelar.
Zoti Kurz tha të enjten se ai kishte bërë gjithmonë më të mirën për ta “çuar Austrinë në drejtimin e duhur”, siç tha, por pranoi se kishte bërë edhe disa gabime gjatë karrierës së tij 10-vjeçare.
“Unë nuk jam as shenjtor dhe as kriminel. Unë jam një qenie njerëzore me pika të forta e të dobëta”, u tha zoti Kurz gazetarëve në Vjenë, duke shtuar se mezi priste të parashtronte argumentet e tij në gjykatë kundër akuzave për korrupsion.
Sipas mediave austriake, ministri i Brendshëm Karl Nehammer mund të zëvendësojë zotin Kurz në pozitën e kreut të Partisë Popullore e më pas zotin Schallenberg, në detyrën e kancelarit të Austrisë./tch
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...