Google ADS

Kancelari i Austrisë viziton Kosovën, bëhen të ditura temat e diskutimit me udhëheqësit e vendit

09:55 | 1 Nëntor 2018
V. S.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz javën e ardhshme do të qëndrojë në Kosovë. Kurtz do të realizojë një vizitë në shtetin e Kosovës përderisa gjatë të martës pritet të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Arritja e Kurz në Kosovë do të bëhet mbrëmjen e së hënës.

Ndër temat të cilat do të diskutohen në këto takime është çështja e dialogut Kosovë-Serbi, perspektiva evropiane e Kosovës si dhe çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton agjencia austriake APA, transmeton Indeksonline.

Vizitën e tij në Ballkan, Sebastian Kurz do ta fillojë të hënën në Serbi, ku gjatë ditës do të zhvillojë takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren serbe Ana Brnabiq.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Kancelari i Austrisë do të zhvillojë takime edhe me ushtarët austriakë të KFOR-it.

Në njoftimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit të Austrisë u tha se ai gjatë vizitës në Serbi dhe Kosovë do t’i japë mbështetje procesit të afrimit të vendeve të Ballkanit me BE-në dhe të inkurajojë perspektivën euroatlantike të këtyre vendeve, duke inkurajuar edhe vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Arritja e një marrëveshje përmes dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është kusht për anëtarësimin e plotë të dy vendeve në BE”, thuhet në njoftimin e Qeverisë austriake.

Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm pasi të jenë anëtarësuar  edhe vendet e Ballkanit Perëndimor” thuhet raportimin e APA-s./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme