Kampionati Ballkanik i Shahut dhe Prishtina Open sjellin në Kosovë 120 shahistë nga anë e mbanë bota

21:37 | 14 Qershor 2024
K.B

Me rastin e organizimit të Kampionatit Ballkanit të Shahut dhe Turneut Ndërkombëtar të Shahut “Prishtina Open”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të mirëpritjes së 120 shahistëve, të cilët ndodhen në Kosovë, e që vijnë nga 16 vende të ndryshme të botës.

Të mbledhur për të festuar, jo vetëm bukurinë dhe anën garuese të këtij sporti të lashtë, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë që ai mbart mes popujve tanë Kurti, u shpreh për sportin e shahut se është shumë më tepër se një lojë, ai mbartë në vete art e shkencë, si dhe pasqyrim të mendjes dhe vullnetit njerëzor.

“E veçanta e gjithë kësaj ngjarje të rëndësishme që po zhvillohet në vendin tonë, është prania e legjendës së shahut botëror, Nigel Short, të cilin kryeministri e cilësoi si nderë duke e lartësuar personalitetin dhe figurën e shahistit Nigel Short, si frymëzim dhe mbështetje për brezat e rinj. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje sportive është dëshmi e përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët për të zhvilluar dhe promovuar shahun si sport”, u shpreh kryeministri, njofton Zyra e Kryeministrit, shkruan Arbresh.info

“Unë kam qenë i ri kur më kujtohet lojërat e bukura të talentit të jashtëzakonshëm në shah, Nigel Short, në vitin 1992 pat fituar një ndeshje 6:4 me Anatoly Karpov-in, ndërkaq në vitin pasues para tri dekadave, saktësisht në vitin 1993 ka pasur lojë, të cilët e ka mundur edhe Garry Kasporov-in edhe Borisovich Kramnik-un. Faleminderit, z. Short, për mbështetjen dhe frymëzimin që i jepni brezave të rinj të shahistëve anë e mbanë”, kujtoi kryeministri.

Kryeministri gjithashtu theksoi se në kuadër të programit shtetëror “Sporti në Shkolla” që po pilotohet në 30 shkolla, të 21 komunave të Kosovës, sporti i shahut ka marrë zemrën dhe vëmendjen e nxënësve tanë të cilët aktualisht po zhvillojnë fazën finale të projektit, garat për t’u shpallur më i miri. Disa prej këtyre shahistët e rinj të këtij programi ishin të pranishëm për të ndjekur garat profesionale dhe për të mbështetur shahistët nga Kosova.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohje për punën dhe angazhimin e madh ndaj Federatës së Shahut të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe sponsorët, vullnetarët dhe të gjithë mbështetësit tjerë. Ai i ftoi shahistët pjesëmarrës nga vendet e ndryshme të botës që të vizitojnë qytetet e Kosovës si dhe të njihen nga afër me energjinë fantastike që ofron populli dhe vendi ynë.

Në këtë ngjarje të rëndësishme përkrah kryeministrit Kurti, ishin edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përfaqësues të federatave nga shtetet fqinje, si dhe nxënës e të programit “Shah në Shkolla”, shahistë e dashamirë të sportit të shahut. Gjatë qëndrim aty, kryeministri gjithashtu takoi për një bashkëbisedim miqësor legjendën e shahut botëror, Nigel Short.

 


Të ngjashme