Kamenicë| Nxënësit e brezit kufitar me Serbinë nuk po fillojnë mësimin 

11:05 | 26 Shtator 2020
Arbresh.info

Fëmijët e brezit kufitarë me Serbinë, në fshatin Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës po bojkotojnë mësimin.

Reforma në arsim e bërë nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati është arsyeja e bojkotit të mësimit.

Prindër të rreth 100 nxënësve të shkollës fillore “Asllan Thaçi”, po kundërshtojnë mbylljen e kësaj shkolle.

Selver Lenjani përfaqësues i këtij fshati në një intervistë për arbresh.info, ka thënë se është e pakuptimtë të mbyllet shkolla e tyre.

“Kjo shkollë i plotëson të gjitha kushtet për mësim. Prindërit janë të vendosur që mos t’i dërgojnë në shkollën tjetër. Ne nuk do të lëshojmë  pe dhe do të mbajmë atë shkollë. Ne do t’i kundërshtojmë të gjitha institucionet. Mbyllja e shkollës është anti kombëtare”, shprehet Lenjani.

Lenjani tutje ka bërë të ditur që kanë dërguar kërkesa për takim të krerët e shtetit duke kërkuar që të shfuqizojnë vendimin kryetarit Kastrati.

“Ne i kemi dërgua edhe Ministrisë së Arsimit që mos të na i mbyll shkollat. Këto janë kamuflazhe të ministrit Ramë Likaj se bashku më Qëndron Kastratin. Kemi bërë kërkesë nga Presidenti,  Kryeministri e Kryeparlamentarja që të na takoj dhe t’i tregojmë për hallet tona e për vendimin  Qëndron Kastratit, por nuk kanë kthyer përgjigje. Shkollat nuk mbyllen në shekullin 21”, thotë Lenjani.

E, për këtë kërkesë të tyre ata nuk do të heqin dorë. Lenjani vazhdon se protestat do të jenë serish pjesë e tyre për të kundërshtuar këtë vendim.

“Ne do të vazhdojmë me protesta dhe kemi vazhdu protestën edhe para objektit të komunës. Protestat s’kanë të ndalura deri në realizimin  kërkesave tona”, thotë Lenjani.

Ndryshe, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me ministrin e arsimit, Ramë Likaj së fundi kanë  raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, në lidhje me reformat në arsim në Komunën e Kamenicës.

Kastrati u shpreh i bindur se nuk se është i vetëdijshëm edhe për pengesat që po i dalin gjatë këtij procesi, duke thënë se nuk do të ndalet, me gjithë presionin e sabotimeve që po i bëhen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë komunës të cilin ai drejton.

“Jam i vetëdijshëm se ju jeni të shqetësuar për situatën në arsim në Kamenicë, andaj e vlerësoj angazhim tuaj dhe interesimin tuaj për këtë . Ne si Komunë e Kamenicës është se po bëjmë zbatimin e ligjit. Nuk jam i verbër dhe i shurdhër dhe jam i vetëdijshëm për sabotimin që po i bëhet iniciativës sonë nga njerëz brenda komunës dhe partive, por nuk i nënshtrohemi këtë presioni. Nuk mund t’i lejojë vetes që një nxënës të shkojë në shkollë pa shokë klase”, tha ai ndër të tjera para komisionit.

Ministri i Arsimit Ramë Likaj ka thënë se reforma e arsimit për komunën e Kamenicës ka bazë ligjore dhe komuna ka të drejtë të marrë vendime si organ legjislativ./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme