Google ADS

Kamberi thirrje shqiptarëve të votojnë në zgjedhjet e së premtes

14:46 | 25 Maj 2022
A. B.

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka thënë se zgjedhjet që do të mbahen të premten në Tërnoc janë referendum kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve.

Kamberi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pushteti në Serbi e ka vendosur që me çdo kusht të ia pamundësojë shqiptarëve të kenë deputet në kuvendin e Serbisë, duke shtuar se pushteti në Serbi po i fshinë shqiptarët nga institucionet por edhe nga shtëpitë e tyre.

“E PREMTJA ËSHTË REFERENDUM KUNDËR POLITIKËS SHTETËRORE TË FSHIRJES SË SHQIPTARËVE. Se pushteti i SNS dhe SPS në Beograd ka vendosur me ia pamundësuar me çdo kusht shqiptarëve të kenë deputet. Pra, lufta e tyre kundër deputetit shqiptar në parlament është vazhdimësi e politikës së fshirjes së shqiptarëve. Vazhdimësi e pasivizimit të vendbanimeve. I kanë fshirë shqiptarët nga drejtësia, siguria dhe ekonomia. Kanë fshirë flamurin kombëtar shqiptar. Kanë fshirë diplomat e të rinjve. Kanë fshirë punëtorin. I fshijnë shqiptarët nga institucionet. I fshijnë nga shtëpitë e tyre. Jo vetëm nuk përfshijnë shqiptarët në spital, në doganë, në postë, në inspeksione etj. Por i përjashtuan edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga pushteti lokal”, ka thënë ndër të tjera Kamberi.

Ai tutje ka shtuar se, politika e Serbisë për fshirjen e shqiptarëve do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, kësisoj, Kamberi ka thënë se: “E premtja nuk është dita e fitores së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe aq më pak e imja personalisht. E premtja është dita e Referendumit kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve”, ka thënë Kamberi. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme