Google ADS

Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët, ndërkombëtarët s’e kanë vëmendjen në Luginë

18:15 | 7 Gusht 2024
E.G

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore për shkak të diskriminimit me pasivizimin e adresave nga Serbia.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vëmendje të mjaftueshme në Luginë të Preshevës dhe me protestën e paralajmëruar besohet se mund ta tërheqin vëmendjen e tyre.

A janë duke u shkelur kaq shumë të drejtat e shqiptareve atje në Serbi në Luginë të Preshevës saqë jeni detyruar të thirrni një protestë gjithë popullore?

“Po, mjerisht po, përkundër faktit që jemi në proces dialogimi me Beogradin ka dy dekada pas përfundimit të luftës dhe përkundër faktit të tri marrëveshjeve marrëveshjes të cilat parashohin domosdoshmërinë e afirmimit të të drejtave të shqiptarëve mungesa e vullnetit politik në Beograd është ajo që po detyron të ndërmarrim këtë masë dhe këtë hap për civilizuar më tepër faktorin ndërkombëtarë dhe obligimit që i ka Serbia ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës për ti përmbushur përfundimisht ato. Situata çdo ditë e më tepër rëndohet, cenohen të drejtat elementare të drejtat e njeriut, të drejtat e tona kolektive… E drejta e përdorimit të gjuhës, shkrimit shqip”, ka thënë Kamberi në “FIVE”

Prisni të ketë përgjigje masive?

“Po shpresoj në një përkrahje të qytetarëve, por kjo do të jetë një iniciative e cila sigurisht që duhet të përcillet edhe me protesta tjera derisa të detyrohet Beogradi të ndërmarrë diçka. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka një vëmendje të mjaftueshme në Luginë të Preshevës dhe me këtë dëshirojmë që edhe vëmendjen e tyre ta tërheqim këtu”, ka thënë ai.

“Serbia mohon të drejtën tonë për integrim të barabartë në organet shtetërore, mosnjohja e diplomave, probleme të shumta në arsim, çështja e diskriminimit ekonomik, mungesa e hapësirës për jetës janë vetëm disa nga aktet që në vazhdimësi po përsëriten të cilat Serbia po i ndërmerr për të ia vështirësuar jetën shqiptareve këtu”, ka deklaruar Kamberi.

Të ngjashme