Kam dyshime shumë të mëdha për atentat

11:55 | 2 Mars 2017
Arbresh.info

Dramë e ka quajtur rastin kur dy goma brenda një ore i kanë pëlcitur makinës që udhëtonte deputetja Gaxherri. Sipas saj, ka dyshime të mëdha, por thotë se nuk mundët të paragjykojë.


Në një bisedë për Gazeta Metro, Gaxherri ka dhënë detaje nga kjo ngjarje, të cilët thotë se e ka përjetu si dramë dhe thotë se aty kanë qenë 8 persona.

“Seriozisht, me përjetu momentin qysh e kemi përjetu, ka qenë si dramë”, ka thënë Besa Gaxherri.

Por, Gaxherri thotë se edhe pse ka dyshime, nuk mund të paragjykojë, por ajo i bën thirrje prokurorisë që të hetojë.

“Unë po kërkoj nga prokuroria sepse dyshimet e mia janë shumë të mëdhaja. Unë nuk di që me veturë zyrtare, brenda një ore, të ndodhin pëlcitje gomash. Kush e ka bo dhe pse e ka bo, unë nuk mundem me paragjyku”, ka shtuar Gaxherri.

E pyetur nëse mund të lidhet kjo me çështjen e votimit për demarkacionit, pasi disa deputetë nga Dukagjini kanë raportuar se janë kërcënuar për këtë votë, ajo ka thënë se nuk mund të paragjykojë.

“Unë nuk du me paragjyku as që ka qenë 100% atentat edhe pastaj nuk mundem me paragjyku për çka ka qenë”, ka potencuar ajo.

Por, duke treguar se kush ka qenë në makinë me të, ajo ka përmendur edhe deputeten Labinotë Demi, e cila në shtator nuk kishte pranuar që të votonte marrëveshjen për demarkacionin.

“Kemi qenë: unë, Sali Morina nga LDK, Labinotë Demi nga PD dhe Fikrim Damka i komunitetit turk. Kemi qenë katër deputetë dhe katër deputetë të administratës”, ka deklaruar Gaxherri.

Ndërkaq, e pyetur se a do ta votojë marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, ajo nuk ka pranuar të bëjë publike qëndrimin e saj. Ajo thotë se vota do të dihet, kur marrëveshja të vijë në Kuvend.

“Vota ime do të dihet atë ditë, nëse do të vijë në Kuvend. Nuk do ta publikoj pasi kjo është parim dhe respekt ndaj votues të mi. Vota do të jetë kur të vijë marrëveshja në Kuvend”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, këtyre ditëve ka pasur raportime të deputetëve se janë kërcënuar për qëndrimin kundër demarkacionit. Njëra nga to ka qenë deputetja e PDK’së, Safete Hadërxhonaj, e cila kishte ngritur shqetësimin për kërcënim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme