Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Prokurori i cili është ngarkuar me këtë lëndë Agron Matjani, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se tashmë është marr aktvendimi për fillimin e hetimeve lidhur me këto dyshime, pasi që Prokuroria Themelore në Gjakovë, e ka pranuar lëndën, më 17 janar 2018.
Nisjes së hetimeve, i ka paraprirë ngritja e kallëzimit penal, më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), nën dyshimin se kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka kryer veprën penale “konflikt interesi”, me rastin e nënshkrimit të një tenderi ku përfitues ka qenë vëllai i tij, Gani Rugova.
Në kallëzimin penal të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Haki Rugova, dyshohet se më 1 gusht 2014, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut, me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e parë”, me operatorin ekonomik “MA-CON” sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të dhe personin juridik që ka të bëjë me të.
Me këtë rast, AKK nën dyshimin e bazuar arsyeshëm, është bërë kallëzim penal, me të cilin Haki Rugova, dyshohet të ketë kryer këtë vepre penale.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i është drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ka fituar edhe një mandat tjetër në krye të Komunës së Istogut, i cili vetëm pas rivotimit kishte siguruar fitoren përball kundër kandidatit nga radhët e AAK-së, Xhavit Dreshaj.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...