Florentina Shala-Gashi, më 18 tetor 2024, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj kryetarit të Komunës se Skenderajt, Fadil Nura, mbi pretendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.
Për këtë rast, kryetari Nura ka konfirmuar se është intervistuar nga Prokuroria.
Në anën tjetër, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur PSRK-në, nëse ka ende një vendim për fillim të hetimeve dhe për çfarë vepra penale, por PSRK ka refuzuar kërkesën për tu përgjigjur, me arsyetimin se çfarëdo informacioni që publikohet mund të dëmtojë procesin e punës së Prokurorisë në këtë rast.
Në kallëzimin penal të ushtruar nga Shala-Gashi, thuhet se kryetari i Komunës, ia kishte ndërruar asaj pozitën e punës nga zëvendësdrejtore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Skenderaj, duke e caktuar Sekretare të Shërbimit të Administratës dhe Personelit. Ndërsa, në pozitën e zëvendësdrejtorit kishte caktuar Ferat Kabashin.
Shala- Gashi, në kallëzim penal kishte thënë se pozitën e zv/drejtores e kishte ushtruar deri në ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.
Aty thuhet se më 28 dhjetor 2021, kryetari i ri i Komunës, Fadil Nura kishte vendosur që Shala-Gashit t’ia ndërrojë pozitën duke e kthyer në pozitën më të ulët që kishte pasur, më koeficient H-6-850. Po me këtë datë, në pozitë të saj pa konkurs kishte caktuar Ferat Kabashin nga pozita e infermierit në pozitën e zv/drejtorit të QKMF-së, po ashtu me koeficientin (H-6, 850).
Sipas saj, për një vit të dy kanë mbajtur koeficientin e njëjtë, kështu pretendon se kryetari ka dëmtuar buxhetin e Komunës për 17 mijë e 418 euro e 50 centë nga data e emërimit e deri më tani
Në anën tjetër, sipas këtij kallëzimi penal, pas një viti Shala-Gashi ka kërkuar përmes e-mailit nga kryetari Nura ta kthejë atë në pozitën për të cilën ka të lidhur edhe kontratën, por që nuk ka marrë përgjigje. E njëjta, aty thuhet se i është drejtuar Inspektoratit të Punës. Ky i fundit, i ka shqiptuar vërejtje dhe kishte obliguar kryetarin Nura t‘i eliminojë parregullsitë.
Pas kësaj, thuhet se më 28 shkurt 2023, Nura kishte marrë vendim për anulim të konkursit për zëvendësdrejtor, duke obliguar departamentin për burime njerëzore të bëjë shkëputjen e kontratës më Shala-Gashin për këtë pozitë dhe ta kthejë në pozitën zyrtare për personel dhe administratë.
Për këto shkelje, sipas një vendimi të Inspektoratit të Punës, Nura është gjobitur me 1 mijë e 500 euro.
Shala-Gashi është drejtuar edhe me padi në Gjykatë Themelore në Mitrovicë, ku shkalla e parë ia ka aprovuar në tërësi këtë padi për ta kthyer në vendin e punës së zëvendësdrejtore, ndërsa rasti tashmë gjendet në Gjykatën e Apelit.
Në kallëzim penal, ndër të tjera thuhet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat, institucionet kanë qenë të obliguara të përgatisin listën e punonjësve që të bëhet barasvlerësimi i koeficientëve të vjetër me ata të ri, por që Ferat Kabashi është lënë pa koeficient me komentin që do të bëhet rishqyrtimi pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Në lidhje me ushtrimin e kallëzimit penal ndaj tij, kryetari Nura ka thënë se është e drejtë e secilit nëse mendon që i janë shkelur të drejtat.
Nura thotë se Shala-Gashit, nuk i është shkëputur kontrata por vetëm është anuluar konkursi dhe procedura e përzgjedhjes se zv/drejtorit të QKMF-së, pasi sipas tij, në këtë proces ishte shkelur Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji i Punës. Gjithashtu, thotë se është shkelur Udhëzimi Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
“citoj-‘konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku 3 kandidat nuk i plotësojnë kushtet e parapara në konkurs”, është përgjigjur Nura.
Sipas tij, Ligji përcakton se nivelet e larta drejtuese dhe pozitat menaxheriale zgjidhen me mandat 4-vjeçar.
“Pra, i gjithë procesi nga fillimi deri në nënshkrimin e kontratës ka rrjedhur duke shkelur ligjet dhe dispozitat ligjore të lartcekura, duke filluar prej dispozitave në të cilën është thirr konkursi kohëzgjatja e vendit të punës i cili do duhej të ishte mandator e jo i përhershëm ngase ligji përcakton se nivelet e larta drejtuese dhe pozitat menaxheriale zgjidhen me mandate 4 vjeçar pastaj mosplotësimi i kritereve bazike duke filluar nga mungesa e përvojës deri të kandidatura e vetme e saje në këtë konkurs”, thuhet në përgjigjen e Nurës.
Ai thotë se Shala-Gashi është kthyer me vullnetin e saj në pozitën e mëhershme.
“Nuk i është shkëputur kontrata e marrëdhënies së punës personit në fjalë ngase është transferuar me vullnetin e saje në një pozitë tjetër në kuadër të QKMF-së”, ka thënë kryetari, duke theksuar sërish se ajo ishte kthyer me vullnet të plotë në pozitën e mëhershme.
Nura thotë se konkursi për këtë pozitë është shpallur dhe anuluar dy herë, ndërsa shton se Ferat Kabashi po mban këtë pozitë si ushtrues detyre. Pra, ky i fundit këtë pozitë si ushtrues detyre e mban që nga 23 dhjetori 2021.
Në anën tjetër, lidhur me ushtrimin e detyrës se kësaj pozite për kaq kohë, duke e ditur se ligji lejon 6+6 muaj që një pozitë të jetë me ushtrues detyre, Ferat Kabashi tha se pozitën e mban nga viti 2022, kurse shtoi se vendimet i merr drejtori dhe KD i QKMF-së.
“Prej vitit 2022 e mbajë këtë pozitë, pasi qe dy here ka dal konkursi edhe është anuluar. Sa i përket vendimeve unë nuk kam marr vendime, Vendimet i merr drejtori dhe Këshilli Drejtues i QKMF-së”, thuhet në përgjigjen e Kabashit.
Inspektorati i Punës më 15 mars 2023, për shkelje të Ligjit të Punës, kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura si person fizik e kishte gjobitur me 1 mijë e 500 euro, duke aprovuar ankesën e Florentina Shala-Gashi, për ndërrimin e vendit të punës.
Këtë gjobë, Nura thotë se nuk e ka paguar, pasi thotë se është vendim i pabazuar.
“Nuk e kam paguar për faktin se e kam ankimuar vendimin e tyre në institucione gjyqësore ngase ka qenë i pa bazuar në aspektin ligjor”, ka thënë ai.
Sipas Inspektoratit të Punës, kryetari Nura, në kundërshtim më Ligjin për Zyrtarët Publikë ka nxjerrë vendim për ndërrimin e pozitës së Florentina Shala-Gashi dhe në këtë rast i është mohuar e drejta e kryerjes së detyrave të punës sipas kontratës se punës të lidhur sipas Ligjit të Punës.
“Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Fadil Nura, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 9 të Ligjit të Punës, lidhur me Udhëzimin Administrativ 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, pasi ka avancuar në pozitë z.Ferat Kabashi nga pozita e infermierit në pozitën e Zv. Drejtori të QKMF-së, pa konkurs të brendshëm…”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Sipas Inspektoratit, Shala-Gashi ishte larguar nga pozita pa kurrfarë vërejtje me gojë, shkrim apo vlerësimi të performancës dhe madje arsyetimi as nuk përmban Këshillën Juridike.
“…Florentina Shala-Gashi përmes e-mailit zyrtar të datës 28.12.2022, ju është drejtuar z.Fadil Nura me një e-mail me të cilën ka kërkuar dhe njëherit e ka njoftuar z.Nura se i ka kaluar afati i vendimit të datës 28.12.2021, andaj ka kërkuar që t’i lejohet të punoj në pozitën për të cilën edhe ka kontratën e punës në pozitën zv. Drejtor i QKMF-së”, tregohet tutje në arsyetim.
Por, thuhet se kryetari Nura nuk është përgjigjur në e-mailin e Florentina Shala-Gashi, duke shkelur nenin 78, paragrafi 1 të Ligjit të Punës.
Fillimisht, Inspektorati i Punës thotë se i kishte bërë vërejtje kryetarit Nura dhe e ka obliguar të eliminojë parregullsitë në afat prej tre ditësh nga pranimi i raportit zyrtar, duke thënë se edhe nëse eliminohen shkeljet, Inspektorati do marrë masë sanksionuese por eliminimin e shkeljes do ta marrë si rrethanë lehtësuese.
“Por edhe përkundër obligimit të dhënë me raportin zyrtar, z.Fadil Nura, nuk ka zbatuar raportin zyrtar të cekur më lartë, por përkundrazi ka shfuqizuar procedurën e konkursit të themelimit të marrëdhënies së punës të znj. Florentina Gashi, në pozitën zv. Drejtori QKMF-së, në kuadër të Komunës së Skenderajt, andaj konstatojmë se z.Nura nuk ka zbatuar asnjërën nga obligimet e dhëna me raport zyrtar”, thekson tutje Inspektorati në vendim.
Kështu, kryetari Fadil Nura është gjobitur me 1 mijë e 500 euro, ndërsa, për të realizuar të drejtën e saj- kthimin në pozitën e saj të punës sipas kontratës, Shala-Gashi është udhëzuar që të bëjë padi në Gjykatën Kompetente.
Gjykata Themelore në Mitrovicë detyron Komunën t’ia kompensojë 6 mijë e 40 euro Florentina Shala-Gashit
Pas vendimit të Inspektoratit të Punës, pala Shala-Gashi i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë me padi.
Kjo e fundit, më 27 shkurt 2024 ka marrë vendim, duke aprovuar në tërësi kërkesëpadinë si të bazuar dhe kishte anuluar vendimin e 28 shkurtit 2023 kur Shala-Gashit i ishte ndërprerë kontrata e punës.
Ndërsa, kishte detyruar Komunën e Skenderajt ta kthejë në vendin e punës dhe t’ia kompensojë shumën prej 6 mijë e 50 euro e 44 centë në emër të pagave të papaguara prej marsit 2023 deri në nëntor 2024 dhe atë me kamatë 8%, si dhe në emër të trustit kontributin e punëdhënësit dhe punëmarrësit, tatimin në pagë, si dhe shpenzimet e procedurës.
Gjykata kishte konstatuar se ndërprerja e kontratës së punës, Shala-Gashit i është bërë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe pa u përmbushur kushtet se kur mund të ndërpritet kontrata e punës nga ana e punëdhënësit, duke thënë se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet.
“…Ne këtë rast kontrata e paditëses duhet të ndërpritet pas dy vlerësimeve jo të kënaqshme për dy vjet radhazi të rezultateve të punës dhe në këtë rast në bazë të provave të administruara ky vlerësim nuk është bërë fare por edhe nëse është bërë Komuna e Skenderajt nuk e ka dëshmuar se e njëjta ka marre vlerësime jo të kënaqshme për dy vite radhazi të rezultateve të punës”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Ndër të tjera, Gjykata ndërprerjen e kontratës e ka vlerësuar si tejet arbitrare dhe në tërësi të kundërligjshme. Madje, thotë se nuk i është dhënë as e drejta në ankesë, si mjet juridik.
Gjykata ka vlerësuar se pretendimi i të paditurës se ndërprerja e kontratës është bërë për shkak të shkeljeve që janë gjetur në procedurën e zhvilluar në konkursin e 21 prillit 2021 është i pabazuar sepse konkursi nuk është akt administrativ i cili mund të anulohet në çdo kohë.
“Konkursi mund të anulohet vetëm nga ana e Gjykatës pas goditjes së të njëjtit me mjete juridike nga ana e palëve që kanë një interes juridik për një gjë të tillë dhe kur gjykata e vlerëson se ka shkelje të dispozitave ligjore”, thuhet tutje në arsyetim.
Për Gjykatën, thuhet se është e papranueshme ndërprerja e kontratës se punës pas rreth dy viteve nga themelimi i marrëdhënies se punës dhe kjo do të ishte një praktikë shumë e dëmshme dhe do të shkaktonte pasiguri të plotë për personat që themelojnë marrëdhënie pune qoftë me kohë të caktuar, qoftë me kohe të pacaktuar.
“Gjykata vlerëson se zhvillimi i procedurave të konkursit në përputhje me ligjin është barrë e punëdhënësit dhe jo e punëmarrësit dhe në rastin konkret konkursi me të cilin paditësja ka themeluar marrëdhënien e punës nuk është atakuar nga askush në procedura gjyqësore për tu shpallur si i kundërligjshëm”, arsyeton ndër të tjera gjykata.
Ky vendim tashmë është atakuar në shkallën e dytë, Gjykatën e Apelit, e cila ende nuk ka vendosur për këtë rast.
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë