Time Kadrijaj, që shërbente si mjeke në kohën e luftës në Kosovë, ka kujtuar disa momente të betejës në Koshare.
Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se mjekët shërbenin në vijat e para të frontit.
“Unë kam qenë mjeke në periudhën e luftës. Luftimet në Koshare ishin fundi i aktivitetit tim ushtarak sepse isha e mobilizuar në zonën operative në rrafsh të Dukagjinit. Në fund pas betejave të shumta jam transferuar në një ekip të të plagosurve në Tiranë. Mosmundësia e kyçjes dhe kthimit brenda në Kosovë na ka bë të mobilizohemi që t’i bashkohemi radhëve të UÇK-së në Koshare. Aty e kemi pritur fundit. Mjekët kanë shërbyer në vijat e para të frontit. Falë angazhimeve të mjekëve sot kemi shumë ushtarë sepse asnjë ushtar nuk ka vdekur për shkak të ndihmës së parë. Normal në kushte fushore nuk është kryer ndonjë intervenim, por ndalja e gjakderdhjes, lidhja, fashimi kanë ndodhur në pikat e para të frontit”, ka shpjeguar ajo.
Sipas Kadrijajt, mjekët kishin pajisjet e nevojshme dhe ishin vazhdimisht në dispozicion të ushtarëve. Sipas saj, operimet emergjente që ka bërë ekipi mjekësor në luftë kanë befasuar edhe mjekët kirurgë në spitalin e Bajram Currit.
Sa i përket natës kur nisën luftimet, Kadrijaj ka treguar kushtet në të cilat kishin fjetur në një prej shtëpive në fshatin Padesh.
“Më kujtohet mesnata e 8 dhe 9 prillit kur u caktua data se në mëngjes do të nisin luftimet. Prej Papaj, fshat në thellësi të Shqipërisë, është dashur të lëvizim në Padesh një fshat më afër kufirit. Janë bartur edhe barnat e më kujtohet se në Padesh janë vendosur në një lëndinë ato pakot mjekësore sepse në atë pjesë nuk kishte shumë shtëpi e në shi e terr është dashur të udhëtohej me orë të tëra. As nuk shihnim asgjë e mezi kemi arritur në Padesh. Barnat në fushë e të mbuluara me qese najloni e ne s’kishim ku të rrinim e u ulëm nën qese por nga të ftohtit u detyruam të kërkonim të rrinim në një shtëpi në bjeshkë. Kemi pa që aty ishin dy pleq motër e vëlla e i pyetëm a mund të hyjmë brenda. Na hapën dyert dhe ndezën zjarrin duke e ngrohur vendin deri në mëngjes. Në mëngjes nisën luftimet, ku menjëherë patëm ushtarët e plagosur”, ka thënë ajo.
Kadrijaj thotë se ndihet krenare që ka ushtarë të cilët befasohet kur i sheh pas luftës duke e ditur çfarë dëmtime kanë pasur në luftë.
Sa i përket ligjit për veteranët, Kadrijaj ka thënë se ky është me vonesë, por më “mirë vonë se kurrë”. Sipas saj, ushtarët në Kosovë kanë pasur trajtim të turpshëm pas luftës.
“Në vendet ku ka luftë, trajtohen ushtarët edhe psikologjikisht. Ne i kemi rreth 50 ushtarë që pas luftës kanë kryer vetëvrasje. Kjo është në të vërtetë një dhimbje sepse t’i shpëtosh një lufte e në fund të mos trajtohesh e për shkak të kushteve të rënda të detyrohet të vetëvritet një ushtar është shumë e dhimbshme. Është dashur të merrej shembulli i Kroacisë për trajtim, ku iu siguroi edhe akomodim e pensione. Por mirë që të paktën ka nisur rregullimi”, ka thënë ajo duke shtuar se po ashtu është dashur të vlerësohet më shumë kontributi i grave.
Për darkën e sotme të liderëve shtetërorë pas kujtimeve në Koshare, Kadrijaj ka thënë se ishte takim që nuk ndodh shpesh mes bashkëluftëtarëve dhe është kënaqësi kur mblidhen bashkë./Koha.net/
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh
Manchester United vazhdon me seri negative, mposhtet edhe ng...
Osmani dhe Hovenieri bëjnë homazhe tek shtatorja e president...
Kurti dhe Nagavci takuan studentët përfitues të bursave nga ...