Është koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie. Kështu po kërkojnë deputetët e opozitës nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Ata pohojnë se kjo qeverisje është përfshirë në shumë skandale dhe raste korruptive.
Rasti më i freskët është ai i dhënies së grantit prej 100 mijë euro nga ministria e Bujqësisë, në krye me ministrin Faton Peci, vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka dhënë një grant prej 100 mijë eurosh vëllait të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit për një shtallë, e 50 mijë të tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa vilave, raporton Arbresh.info.
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kërkojnë që ky rast të hetohet sa më parë nga institucionet përkatëse të drejtësisë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, për Arbresh.info, thotë se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me deklarata të forta se kinse të afërmit dhe partiakët janë për ahengje dhe jo për punësime, por tash sipas saj, po del krejtësisht e kundërta.
Kadrijaj pohon se në këtë qeverisje thuajse katërvjeçare janë bërë favorizime dhe punësime pa respektimin e asnjë procedure ligjore.
“Se kanë ardh ne pushtet për ç’ kapjen e shteti, po e kanë kap shtetin në plotësi. Kjo ka ndodhe veç në këtë qeveri. Patën deklaruar se familjarët dhe partiakët janë për ahengje, tash po del se janë për favorizime në formën ma klasike, pa respektuar asnjë procedurë, as ligjore, e as administrative”, shprehet Kadrijaj.
Ajo hedh akuza të rënda në drejtim të kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas saj, me bekimin e tij të gjithë ministrat e tij janë të përfshirë në afera korruptive.
“Po krejt ministrat me bekimin e Albinit janë te përfshirë në afera korruptive andaj me patjetër duhet të ndiçen penalisht”, thotë Kadrijaj.
Berisha: Pranimi i Pecit për dhënien e grantit, e bën edhe më të rëndësishme dhe urgjente hetimin e rastit
Në anën tjetër deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha thotë se rasti i ndarjes së grantit në vlerë prej 100 mijë eurosh nga ministria e udhëhequr nga Faton Peci për vëllain e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ngre shumë dyshime edhe për favorizime të tjera që janë bërë nga kjo qeverisje për familjarët, apo individë të lidhur me partitë në pushtet, që janë Vetëvendosje dhe Lista Guxo.
“Veprimi i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili i dha grant prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, është bërë një çështje e debatueshme që ka tronditur opinionin publik dhe politik. Ky rast ngre pikëpyetje serioze rreth transparencës dhe drejtësisë në shpërndarjen e granteve publike, duke bërë që shumë njerëz të dyshojnë për favorizimin e individëve të lidhur me parti politike apo familjarët e tyre”, thotë Berisha.
Tutje, ai pohon se favorizimi i individëve të lidhur me strukturat partiake, është një problem i thellë për çdo shoqëri që aspiron për transparencë dhe përgjegjshmëri.
Në këtë rast, sipas tij, pranimi publik nga ana e ministrit Peci për dhënien e grantit, e bën edhe më të rëndësishme dhe urgjente hetimin e rrethanave që çuan në këtë vendim.
Një hetim i pavarur dhe i plotë nga institucionet kompetente, sipas Berishës, do të ishte i nevojshëm për të sqaruar nëse ka pasur shkelje të kritereve të përzgjedhjes apo favorizim për shkak të lidhjeve politike ose familjare.
“Deklaratat publike të ministrit për të mbrojtur këtë veprim vetëm sa thellojnë dyshimet për korrupsion dhe nepotizëm. Refuzimi për të mbështetur persona si Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, e cila humbi familjen gjatë luftës, përballë mbështetjes së individëve të lidhur me pushtetin, përfaqëson një padrejtësi të dukshme. Argumenti i dhënë se “438,000 votuesit e ndryshimit” kanë prioritet, nëse trajtohen sipas përkatësisë partiake, është një arsyetim i papranueshëm që bie ndesh me parimet e barazisë dhe drejtësisë”, thotë deputeti i PDK-së.
Transparenca në këto raste, sipas Berishës, është thelbësore për të siguruar që fondet publike të përdoren në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Sipas tij, nëse hetimet vërtetojnë parregullsi apo konflikt interesi, masat ligjore duhet të merren për të parandaluar që situata të ngjashme të përsëriten, duke rivendosur kështu besimin e qytetarëve tek institucionet publike.
Ai thekson se është evidente se kjo qeveri e ka humbur kredibilitetin dhe të drejtën për të përfaqësuar interesat e qytetarëve.
“Kjo çështje është një tjetër shembull i korrupsionit dhe krimit të organizuar financiar, që duket se po mbizotëron në qeverisjen aktuale, duke përkeqësuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe proceset shtetërore. Ministri jo vetëm që nuk kërkoi përgjegjësi, por tentoi të intimidojë publikisht përfituesit e granteve dhe opozitarët me kërcënime, duke shfaqur një qëndrim të rrezikshëm dhe të papranueshëm për një zyrtar publik. Në vend që të japë llogari për këtë skandal të rëndë, ministri e justifikon veprimin duke shpallur si përfitues individë të lidhur me pushtetin dhe i jep prioritet strukturave partiake dhe familjare. Ky lloj përdorimi i pushtetit për të shpërblyer miqtë dhe të afërmit, duke dëmtuar qytetarët e zakonshëm dhe ata që meritojnë mbështetje, është një abuzim i hapur me besimin publik”, shprehet Berisha për Arbresh.info.
Krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi, sipas tij, qëndrojnë në kundërshtim të hapur me premtimet për drejtësi sociale dhe ndryshim që kjo mazhorancë premtoi në kampanjë elektorale.
“Është koha për përgjegjësi dhe llogaridhënie! Pyetja që ngrihet natyrshëm është: a është kjo drejtësia dhe ndryshimi i premtuar nga kjo qeveri? Ky rast kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi të qartë për të siguruar që fondet publike të mos shërbejnë për interesat e ngushta të pushtetit, por për të mirën e përgjithshme të qytetarëve”, pohon deputeti i PDK-së.
Ndryshe, ditë më parë ishte vetë Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka reaguar për herë të parë pasi u publikua kontrata, ku i dha grant prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Ai në sqarimin e tij publik u shpreh se “nuk favorizon individë”. Madje, ai ka arsyetuar veprimin e tij, duke theksuar se nuk mund të jenë të privuar mbi 438 mijë votues që kanë votuar në zgjedhjet e fundit këtë qeverisje, nëse ndonjëri prej tyre ka aplikuar për grant dhe e meriton atë.
“Në lidhje me pretendimet e bëra nga Zyra e LDK-së për ndikim në përzgjedhjen e një përfituesi të caktuar, dëshiroj të sqaroj se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve. Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë”, ka shkruar ai./Arbresh.info/
Sinani: Organi më i lartë i drejtësisë në Serbi po legjitimo...
Konjufca priti në takim anëtarët e komisionit të Parlamentit...
Rama: Po mendojmë ndalimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it
Policët e rinj të Kosovës trajnohen tre muaj – më së p...
Vendasit dhe policia në luftë të përbashkët kundër bandave, ...
Space X lanson edhe një raketë testuese