Kadri Veseli ende në Kosovë, del nga selia e EULEX-it

10:53 | 4 Maj 2021
Përparim Bublaku

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po qëndron në Kosovë, pasi është liruar për vizitë nga Gjykata e Hagës ku po mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime të luftës.

Arsyeja e vizitës së Veselit është gjendja jo e mirë shëndetësore e babait të tij i cili ndodhet për trajtim në Spitalin e Mitrovicës.

Ai ka vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, dhe po ruhet nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e EULEX-it.

Në pamjet e siguruara nga Klan Kosova, Veseli nën përcjelljen e EULEX-it është parë duke dalë nga aty për të qarkulluar tutje dhe që destinacion mund të jetë Mitrovica, për vizitë te babai, që është edhe arsyeja e ardhjes së tij në Kosovë.

Ende nuk dihet për sa kohë do të qëndrojë ai në Kosovë.

Pas tri ditësh, Veseli do të rikthehet përsëri në Hagë.

EULEX dhe Policia e Kosovës janë duke i asistuar zyrtarët e Dhomave të Gjykatës Speciale të cilët po e shoqërojnë Veselin.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara ka konfirmuar për Reporterin se Veseli është liruar për arsye familjare, por ka thënë se ai mbetet në paraburgim.

“Për arsye personale Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka udhëzuar zyrën e regjistrimit të menaxhojë një vizitë kujdestare për [Kadri Veselin] në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuar në këtë vizitë”, ka deklaruar Griep për Reporteri.net.

Ndryshe, gjendja shëndetësore e babait të ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, është e rëndë, kanë bërë të ditur nga Spitali i Mitrovicës.Ai po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme