Shkeljet e Kushtetutës së Kosovës janë mjaft të shpeshta, ndonëse respektimi i saj është domosdoshmëri për të gjithë.
Shkelja e aktit më të lartë juridik ndërlidhet me ambiciet e partive dhe lidershipit për të marrë pushtet duke abuzuar me Kushtetutën, vlerësojnë profesorë të së drejtës kushtetuese.
Sipas tyre, faktor tjetër është nxjerrja e ligjeve a vendimeve duke mos përfillur normat kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e themeluar pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, prej vitesh trajton numër të konsiderueshëm çështjesh që hyjnë në kuadër të fushëveprimit të gardianes së kushtetutshmërisë.
Vetëm gjatë vitit 2022, kushtetuesja ka pranuar 220 lëndë, teksa ka zgjidhur 184, ka bërë të ditur Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese.
Tutje, në një përgjigje për Radio Kosovën, Dula tregon se “numri i lëndëve të papërfunduara aktualisht është 231.
Ndërsa, nga këto lëndë të papërfunduara, janë 148 sosh që janë pranuar vetëm gjatë këtij viti”.
Sipas akademik Arsim Bajramit, një ndër hartuesit kryesor të aktit më të lartë juridik, që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës shkeljet kanë qenë të mëdha dhe të rënda.
Shkeljet kanë shkaktuar edhe kriza të thella politike, thotë Bajrami për Radio Kosovën, teksa potencon dy nga arsyet kryesore se pse po shkelet Kushtetuta.
“E para, ambicia e partive politike dhe lidershipit që të marrin pushtet duke abuzuar me Kushtetutën. Shkelësit më të mëdhenj të kushtetutës janë institucionet. Pra, parlamenti, qeveria, ish-presidentët, gjykatat. Arsyeja e dytë është mungesa e një demokracie të mirëfilltë, një kulture shtet-formuese, apo atë që ne profesionalistët e quajmë një konstitucionaizim i politikës, sepse akoma partitë politike nuk janë sa duhet të demokratizuara, dhe në këtë situatë kemi kaq shumë shkelje të kushtetutës”, tha ai.
Ndërsa, eksperti i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se janë disa faktorë që po bëjnë që shumë ligje e çështje të përfundojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Ajo që është për ta veçuar si e para është se ne ende nuk jemi konsoliduar si shtet i ri. Edhe pse kemi asistencë teknike dhe më shumë se kaq, nga bashkësia ndërkombëtare, pas kaq viteve pavarësi. Ne megjithëkëtë, fatkeqësisht nxjerrim ligje të ngutshme, ligje që nuk janë adekuate për kohën, momentin dhe kërkesat e qytetarëve, apo edhe ligje të cilat janë jo rrallëherë kontradiktore, jo në harmoni me kushtetutën apo edhe me ligjet e tjera”, tha ai.
Së fundmi, Kushtetuesja shpalli jo kushtetuese disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, e paraprakisht shpalli plotësisht të pa vlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial, si dhe disa vendime institucionale.
Ndërkohë, aktualisht, sipas drejtorit të Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, në procedurë të vlerësimit të kushtetutshmërisë janë 5 ligje përfshirë këtu:
Ligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; Ligji nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik si dhe Ligji Nr.08/L-142 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore./rtk/
Haradinaj në Pejë: Anëtarësimi direkt në NATO, shtysë për zh...
Aksident mes një kamioni dhe një veture në dalje të autostra...
Guardiola konfirmon lëndimet e dy yjeve të Man Cityt – thotë...
Ditë zie në Serbi, flamujt serbë ulen në gjysmështizë edhe n...
Haxhiu në Tiranë takohet me ish-ministren Gjonaj, diskutohet...
Për herë të parë në histori regjistrohet një uragan në Finla...