Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.
“Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph.
Ttutje ka thënë se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.
“Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut derisa është në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se çfarë do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia dhe cili do të jetë pozicioni kur bëhet fjalë për Serbinë. Refuzimi i presidentit të Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër”, ka theksuar profesori Joseph.
Ai tutje ka thënë se më 6 tetor ia ka parashtruar pyetjen emisarit Lajçak në Malin e Zi se pse nuk e shfrytëzoni mundësinë, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë.
“Pse të mos përdoret kjo gjë dhe t’i prezantohet Beogradit propozimi merre ose lëre. Këtu Serbia vihet para pozicionit që ta pranojë plotësisht se do ta përmbush obligimin e saj ndaj Kosovës, që ka të bëjë me njohjen de-facto, njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra pse të mos shfrytëzohet kjo lloj përparësie kur Beogradi dhe presidenti Vuçiq është në situatë të brishtë. Këtë pyetje ia kam bërë Lajçakut kur ai ishte në Malin e Zi muajin e kaluar. Ai nuk dha përgjigje publike, por pashë disa elemente të asaj që unë kam vërejtur në atë dokument të QUINT-it”, ka shtuar Joseph.
Sa i përket takimit të nesërm të Lajçakut me partitë opozitare, ai ka thënë se kjo “është gjë e mirë që partitë opozitare të jenë pjesë e procesit dhe një hap i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”.
Sipas tij tani çështja është nëse ekziston tashmë vullneti politikë në SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion palëve dhe ta përfundojnë këtë marrëveshje njëherë e përgjithmonë.
“Më 26 tetor pas takimeve në Bruksel, Kosova është deklaruar se ka kërkuar nënshkrimin e dokumenteve nga Serbia. Unë besoj se kjo është kërkesë e arsyeshme në cilindo kontekst. Për mua kjo ishte kërkesë shumë e arsyeshme dhe SHBA dhe BE duhet të insistojnë te Serbia që ta nënshkruajë këtë dokumentet dhe dy dokumentet tjera të dakorduara më parë dhe përfundimisht të ndalet kjo lojë. A është marrëveshja që secila palë, Kosova dhe Serbia, duhet ta formalizojnë atë dhe të thonë ‘po kjo është ajo marrëveshje’. Si mund t’i besoj dikush fjalës së Serbisë se do të implementojë një marrëveshje e cila i ka këto elemente të rëndësishme të njohjes brenda – siç është mos kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si mund të besohet kjo kur presidenti Vuçiq nuk e nënshkruan këtë”, ka nënvizuar Joseph./RTK
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...