Google ADS

Jo të gjitha viktimat e krimit mund të përfitojnë nga Ligji për kompensim

13:22 | 12 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kompenzimi i viktimave të krimit është një obligim ligjor në Kosovë që nga viti 2015, kur hyri në fuqi ligji dhe programi shtetëror gjegjës për këtë kategori.

Një Zyrë për mbrojtjen e viktimave të krimit funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Aty po trajtohen raste të shumta që kanë të bëjnë me dhunën në familje, trafikimin me njerëz dhe rastet e abuzimeve seksuale.

Zyrtarët thonë se në vitin e kaluar kanë ndihmuar apo përfaqësuar 1 mijë e 620 raste. Por, aktualisht flitet vetëm për 10 raste te kompensimit gjatë dy viteve të fundit.

Kompensimi nga shteti mund të kërkohet në rastet kur viktima nuk mund ta realizojë të drejtën për dëmshpërblim nga i pandehuri apo kompensim nga burimet tjera.

Menaxheri i Zyrës për mbrojtje dhe ndihmë të viktimave, Basri Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i viktimave kanë qenë ato të dhunës në familje.

Kastrati thekson se institucionet e Kosovës, kanë nisur kompensimin e rasteve të cilat kanë fituar të drejtën e tyre ligjore.

“Dy rastet e para që janë kompensuar kanë qenë, një rast i vrasjes dhe një tjetër i trafikimit me njerëz. Ne si zyre kemi nisur programin e kompensimit me dy rastet e para, pra që janë kompensuar. Deri më tani janë kompensuar 10 raste (për vitin 2018)”, tha Kastrati.

Zyrtarët thanë po ashtu se edhe në vitin 2019 janë afërsisht 10 raste të cilat do të kompensohen.

Kastrati ka shpjeguar se varësisht nga rastet, ato mund të kompensohen në shumën deri në 25 mijë euro.

“Kjo varet nga rasti dhe dëshmitë që kanë ofruar viktima. Rasti i parë ka qenë mbi 5 mijë e 350 kurse rasti tjetër po ashtu afër vlerës deri 5 mijë euro. Do të thotë shumë e cila është kompensuar në bazë të dëshmive të faturave me të cilat është kërkuar mbështetja qoftë edhe në aspektin psiko-social apo trajtimit mjekësor…, por jo të gjitha mund të kompensohen dhe të kërkojnë kompensime për këto raste”, tha Kastrati.

Kompensimi i viktimës së parë të krimit është bërë në vitin 2017.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë, se kompensimi i viktimave vazhdon të jetë një nga të metat më të mëdha për vendin nga aspekti i të drejtave të njeriut

“Po është njëra prej shkeljeve më të rënda që bëhet edhe kur konstatohet se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut. Kompensimi është ai hapi i fundit në ciklin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut që benë kompensimin për gjithë shkeljen dhe është një lloj satisfaksioni në fund të fundit për vet viktimën, sidomos kur është përgjegjës shteti në situatat kur konstatohet me vendime qoftë të gjykatave apo organeve administrative që ka pasur shkelje”, tha Jashari.

Jashari thotë se standardi i vetëm që do të duhej të ndodhte është zbatimi i nenit 53 të Kushtetutës që i implikon detyrimet për autoritetet publike që të zbatojnë konventën evropiane dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Sipas tij, ligji i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2015, nuk ka dhënë shumë efekte pozitive, nëse shihet numri i rasteve të trajtuara.

“Janë pak raste që janë kompensuar me këtë ligj. Ndërsa, prapë palët udhëzohen që të ndjekin procedura të tjera gjyqësore për kompensimin tjetër për dhimbjen, frikën, rastin që e përcjellin një fenomen të tillë”, tha Jashari.

Paratë për kompensimin e viktimave të krimit ndahet nga buxheti i shtetit. Ky program iu mundëson viktimave të veprave të dhunshme të kompenzueshme të aplikojnë për kompensim financiar për dëmet si pasojë e veprës penale.

Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte miratuar në vitin 2015. Ky ligj rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre.

Sipas këtij ligji, veprat e dhunshme të cilat hyjnë në kategorinë e veprave të kompenzueshme janë: vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve si dhe dhuna në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

Në bazë të këtij ligji është i themeluar edhe Komisioni për Kompensimin e Vikamave të Krimit dhe ka nisur të funksionojë në vitin 2017. Për herë të parë, Ministria e Financave në vitin 2017 kishte ndarë buxhetin në vlerë prej 100 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme