Vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka shpërfaqur qasjen që kanë partnerët ndërkombëtarë ndaj Kosovës.
Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën t’i sjellin Kosovës një ndër njohjet më të rëndësishme, Bashkimi Evropian përkundër se nuk ka arritur të ndikojë në pesë vendet mos njohëse vazhdon të kundërshtojë hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Kundërshtime ka patur edhe nga Turqia në lidhje me këtë çështje.
Për analistin Nexhmedin Spahiu këtë gjendje e quajti si më delikaten që nga formimi i Kosovës si shtet. Sipas tij, për Kosovën ‘baba’ është Amerika, dhe Turqia është ‘vëllai i madh’.
“Është sikur fëmijë i vogël që ka nevojë për prindin e fuqishëm që del e mbron, por njëkohësisht ka nevojë edhe për vëllain e madh i cili aty kur fëmijët tjerë nuk e lajnë me lu futboll ai e shtinë në lojë. E baba nuk mundet me ardh gjithmonë aty te fëmijët, edhe me thanë kape djalin tim edhe shtine në lojë. Sepse, merret me punë më të mëdha merret me çështje të tjera. Në ndërkohë që për djalin e vogël është shumë e rëndësishme ta ketë aty edhe vëllain, i cili përkujdeset që ai me lujt futboll atu ku duhet të luaj. Kështu që në këtë aspekt baba është Amerika, e Turqia është vëllai i madh.”
Ndërsa sipas tij prishja e raporteve me këto palë do të ndikonte keq për Kosovën pasi që varësisht prej zgjedhjeve Kosovën mund ta qoj në dështime katastrofike.
“Prishja e raporteve me cilën do anë është keq për Kosovën, se si do duhet ta menaxhoj këtë situatë mendoj që duhet t’i prek pulset herë në njërën palë, herë në tjetrën në mënyrë që edhe të kërkoj mirëkuptim nga të dyja palët për të vepruar. Përndryshe është një situatë që varësisht prej zgjidhjeve Kosovën mund ta qoj në dështime katastrofike”, thotë Spahiu për arbresh.info.
Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani, shprehet se Kosova duhet të bëjë hapjen e ambasadës në Jerusalem e përcaktimin e lokacionit sipas tij e bënë shteti nikoqir e jo shteti që do të hap ambasadën.
“Unë besoj që Kosova duhet me avansu me hapjen e ambasadës saj në Jerusalem, për shkak që e para vendodhjen e ambasadës e përcakton shteti nikoqir, e jo vendi që e hap ambasadën. Vendet tjera që e kanë hap, tash e kanë mundësin mos me ba diçka të tillë po, por që vendos marrëdhënie diplomatike tash e tutje me Izraelin duhet me vendos në Jerusalem . Pra ose e hapjen në Jerusalem ose refuzon njohjen Izraeli për Kosovën.”
Ramadani tutje deklaron se Kosova ka luksin të bëjë politikë në shpërpushje me BE-në pasi që Serbia diku 50% e pozicioneve politike i ka bërë në shpërpushje me kërkesat e BE-së.
“Gjithashtu duhet me pas parasysh që Izraeli nuk është çështje e cila definon raportin me BE-në, por ka hapësirë më të madhe të manovrimit Kosova , edhe unë besoj që hapi i duhur është me hap në Jerusalem”, vlerëson Ramadani.
Analisti, Blerim Burjani thotë se nëse Izraeli insiston të jetë me çdo kusht në Jerusalem, atëherë kështu do të jetë.
“BE nuk pajtohet, por kjo nuk pengon gjë për shkak se Kosova as liberalizim të vizave nuk ka merr nga BE e lëre të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Në këtë stad nuk ka shkelje të ndonjë parimit të BE përveç nëse BE e lidhë vendimin e Kosovës për të hap në Jerusalem ambasadën, me perspektiven e Kosovës në BE dhe me ndonjë vendim të saj kushtëzon këtë perspektive. Përndryshe njëherë kjo çështje mbetet vetëm në nivel komunikimi verbal pa ndonjë qëndrim të shkruar apo pa ndonjë vendim të BE-së, në këtë çështje. Kosova duhet të përkushtohet për të ndërtuar raporte me Izraelin përmes ambasadës”.
Burjani më tej shton se për përcaktimin e lokacionit nuk ka reagim zyrtarë të administratës së Bidenit kështu që BE nuk mund të bëjë vërejtjeje të tilla në lidhje me këtë çështje.
“Administrata Biden nuk ka ndonjë qëndrim në këtë temë as sugjerim për Izraelin e as për Kosovën rreth hapjes se ambasadës apo përcaktimit të lokacionit. Pra ende nuk ka reagim të Biden, BE nuk mund të ketë vërejtje substanciale në këtë çështje përderisa Kosova është larg shume nga BE”, thotë Burjani për arbresh.info.
Izraeli e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në shtator të vitit të kaluar. Pjesë e këtij dakordimi ishte që ambasada e Kosovës të vendoset në Jerusalem.
Ines Demiri është ambasadorja e parë e Kosovës në Izrael. Javën e kaluar ajo veçse ka arritur në Izrael, ku pritet që së shpejti të përfundojë procesi i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në letrën e tij që i ka uruar fitoren kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar këtë të fundit në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Pavarësisht kësaj, Kurti ende nuk ka shprehur ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje./arbresh.info/
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...