Jeremiq: Nëse Vuçiq e pranon marrëveshjen me Kosovën, do të kryejë tradhti të madhe

17:48 | 25 Shkurt 2023
E.H

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,të hënën, e pranon planin evropian, sipas të cilit Kosova do të bëhet shtet, ai do të kryejë tradhti të lartë.

Sipas Jeremiqit kjo llogaritet si tradhëtia më e madhe që ka përjetuar Serbia në këtë shekull, ndoshta në përgjithësi dhe se do të pasojnë një sërë pasojash.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ishte një fatkeqësi kombëtare”, ka thënë Jeremiq në një tekst autorial në portalin “Nova”.

Ai ka thënë se kjo do të thoshte se Vuçiq, në emër të Serbisë, ka pranuar në mënyrë ligjërisht të detyrueshme ndërkombëtarisht, që Kosova është shtet.

“Pavarësisht gjithë spinave dhe propagandave që do të përpiqeshin ta mbulonin, çështja është shumë e thjeshtë. Duke qenë se Serbia është shtet, nëse pajtohet për barazi me Kosovën, do të pranonte pa mëdyshje që edhe Kosova të jetë shtet. Qëndrimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare mund ose jo shprehimisht të qëndrojë në marrëveshje, nuk bën kurrfarë dallim”, tha Jeremiq.

Opozitari serb theksoi se “pasojat e kësaj tradhtie nuk do të ishin asgjë më pak se tragjike dhe se pavarësia e Kosovës së shpejti do të njihet nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë bërë këtë deri më tani”.

Pas kësaj, vlerësoi Jeremiq, “Kosova do të pranohej menjëherë në NATO dhe Këshillin e Evropës, kurse OKB-ja dhe UNESCO do të ishin të radhës”.

“Në pak vite, Shqipëria dhe Kosova do të shkriheshin zyrtarisht në një shtet të vetëm shqiptar, i cili do të kishte aspirata të mëtejshme territoriale ndaj Serbisë, por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, çka do të sillte pashmangshmërisht në tensione dhe konflikte të reja.

Pavarësisht se çfarë do të shkruhej në letër për Kishën Ortodokse Serbe, të gjitha kishat dhe manastiret tona në Kosovë do të merreshin dhe do të shqiptarizoheshin brenda një dekade”, thuhet në vlerësimin e Jeremiqit në njoftimin e Partisë Popullore.

Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbenë veri të Kosovës.

Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të dyja palëve./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme