Jep dorëheqje Drejtori për Ekomomi dhe Financa në komunën e Prizrenit, për shkak të aktakuzës së ngritur për pagesën e spoteve reklamuese

20:40 | 26 Gusht 2019
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ka njoftuar  se ka pranuar dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa Ertan Simitçi, pas rastit të aktakuzës së ngritur ndaj drejtorit në fjalë për pagesën e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë për vitin 2016, pra gjatë qeverisjes së kaluar, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Kjo është deklarata e kryetarit Haskuka lidhur me rastin:-

Sot kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa.

Kjo dorëheqje ka ardhur pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj drejtorit Ertan Simitçi lidhur me rastin për pagesën e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë për vitin 2016.

Së pari dua të njoftoj  gjithë opinionin publik se rasti i aktakuzës ndaj drejtorit në fjalë është e lidhur me qeverisjen e kaluar të PDK-së.

E dyta lidhur me aktakuzën, unë si kryetari i Komunës, si epror i drejtorit, ende nuk kam pranuar aktakuzën në fjalë, e cila para se që t’i dërgohet edhe drejtorit Ertan Simitçi ka dalur nëpër media,  ku disa përfaqësues të shoqërive civile kanë filluar që të “numërojnë” për diçka që as ne nuk e kemi parë. Drejtori e ka pranuar aktakuzën një javë pas kësaj dhe është për qudi se si ata janë më të informuar se sa personi ndaj të cilit po ngrihet aktakuza.

E treta, pas kësaj unë kam kërkuar nga drejtori një raport lidhur me çështjen për të cilën është ngritur aktakuza dhe ndërkohë kam analizuar këtë çështje.

Në vitin 2016 me propozim të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, kryetari i atëhershëm Ramadan Muja ka marrë vendim që të lejohen mjetet financiare për pagesë të reklamimit të tatimit në pronë, me të gjitha mediat lokale të cilat operojnë në Prizren. Pra në bazë të këtij vendimi, drejtori Simitçi ka lidhur kontratë njëvjeqare në vlerë të barabartë me të gjitha mediat lokale. Kjo ka ndodhur në fillim të vitit, para pranimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku edhe në raportin e e vitit 2014 nuk ishte gjetur shkelje për një procedurë të tillë.

Në muajin qershor, Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e vitit 2015 (pas marrjes së vendimit) dhe pas këtij raporti dhe konform rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, drejtori Simitçi nuk ka lidhur asnjë marrëveshje me media lokale, si dhe nuk ka zhvilluar asnjë procedurë tjetër pë reklamim. Problemi këtu qëndron që aktakuza po ngritet për një çështje, ku ai ka zbatuar vendimet e eprorëve të tij, në këtë rast, vendimin e kryetarit të atëhershëm të Komunës. Në këtë rast është shumë e çuditshme se si për ata që marrin vendime nuk ngritet aktakuzë, ndërsa për ata që zbatojnë vendimet ngritet aktakuzë. Kjo më bën që të dyshohet lidhur me prapavijën e kësaj aktakuze.

Për më shumë, këtu kemi edhe rekomandimin e kryetarit të asamblesë komunale të qeverisjes së PDK-së, që ka rekomanduar që Drejtoria për Financa të procedojë pagesat e faturave televizive dhe radiove lokale të cilat bëjnë transmetimin dhe ritransmetimin e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, ku aty shënon që pagesa do të bëhet 300 euro, kurse sipas kontratës së lidhur me operatorin shuma që do t’i paguhet operatorit është 400 euro. Nëse ka rast flagrant të shkeljeve, ky është rasti.

Sidoqoftë, unë falënderoj drejtorin Simitçi për punën që e ka bërë gjatë kësaj periudhe në qeverisjen time, ndërkaq ata “që i kanë numëruar ditët” shpresoj që tash e tutje do të fillojnë me numërimin e ditëve për mbajtjen e sa më të shpejtë të seancës, ku pres që të merret parasysh edhe vendimi i kryetarit të qeverisjes së PDK-së.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme