Google ADS

Jashari: Kuqicën po e bëjmë me ujë të pijshëm

14:26 | 6 Maj 2021
L G

Ka filluar sot projekti i instalimit të kyçjeve individuale të ujësjellësit në fshatin Kuqicë, të financuar nga Komuna e Skenderajt.

Me këtë rast kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka vizituar fshatin Kuqicë, për të parë nga afër zhvillimin e punimeve në realizimin e këtij projekti i cili sipas Jasharit do të përfundojë brenda një muaj e gjysmë, shkruan arbresh.info.

Kryetari Jashari para qytetarëve të këtij fshati u shpreh i lumtur që premtimin e dhënë vitin e kaluar qytetarëve të këtij fshati po e jetëson me sukses.

“Nuk do të ndalemi me kaq, brenda këtij muaji do të fillojmë me instalimin e ujësjellësit edhe në LLaushë, Burojë e Aqarevë, për të vazhduar me pas brenda këtij viti edhe në fshatrat e bashkësisë lokale të Likocit e Rezallës”, deklaroi Kryetari Jashari.

Tutje Jashari shtoj se brenda mandatit të tij qeverisës po bëjnë me ujë të pijshëm 25 fshatra të komunës së Skenderajt dhe për këtë ai falënderoj Qeverinë Zvicerane për instalimin e gypit kryesor dhe Ministrinë e Mjedisit për përkrahjen në instalimin e kyqjeve individuale në disa fshatra.

Sipas Jasharit në fshatin Kuqicë përveç ujësjellësit komuna që ia udhëheq gjatë mandatit të tij ka investuar edhe në ndërtimin e rrugëve, kanalizimit, shtrirjen e shërbimeve për mbeturina, kurse gjatë vitit do të ndërtojë edhe një poligon sportiv për të rinjtë e këtij fshati, kërkesë kjo e cila doli sot nga banorët e Kuqicës.

Nga ana tjetër banorët e këtij fshati falënderuan Kryetarin Jashari për realizimin e këtij projekti jetik për mirëqenien e tyre. /arbresh.info/

Të ngjashme