Jasharaj thotë se viti shkollor do të nisë me telashe

11:07 | 28 Gusht 2023
E.H

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se viti shkollor do të nisë pa greva, porse do të nisë keq për fajin e Ministrisë së Arsimit dhe ministres Arbërie Nagavci, që nuk kanë bërë përgatitjet e duhura për tekstet shkollore.

“Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për tu heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej ti bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoji MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore”, tha Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se SBASHK-u me kohë ka reaguar për këtë çështje, duke thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po mban inate me SBASHK-un.

“Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo doli me një lajm që i ka shqetësuar edhe prindërit dhe neve si mësimdhënës”, ka theksuar Jasharaj.

Jasharaj ka kërkuar nga ministrja Nagavci që të dal me qëndrim dhe zgjidhje për rreth 400 punonjës të arsimit të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.

“Kërkojmë nga ministrja Nagavci që të marrë qëndrim dhe të kemi një situatë të zgjedhur për kolegët tanë me sëmundje të rënda, ngase ata janë pezull. Një vit u është siguaruar që të mos punojnë e të marrin paga. Ky numër mbetet i lartë. Janë diku 400 punonjës të arsimit me sëmundje të rënda, si kanceri etj, por nëse MASHTI nuk bën zgjedhje ata do të detyrohen që të shkojnë në shkollë sa për të ruajtur vendin e punës, e sa të ushqejnë familjet e tyre”, ka deklaruar Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se metoda për të aplikuar për subvencionim për tekste shkollore nëpërmjet “E-Kosova” e vështirëson fillimin e vitit shkollor dhe se do të kalojnë ditë “e nxënësit s’do të pajisjen me tekste shkollore”.

Sipas tij, vit shkollor nuk do të filloj si duhet sepse do të kalojnë ditë e ditë e nxënësit nuk do të jenë të pajisur me mjete shkollore./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme