Ekspertët e arsimit duan nisjen e procesit mësimor pasi sipas tyre nuk ekziston çmim që arsyeton bllokimin e këtij procesi, por grevistët thonë se nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se nuk është çështja vetëm tek 100 eurot, shkruan arbresh.info.
Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se këtë vikend pret të ketë takime me qeveritarët. Por, kësaj radhe ai tha se do të këmbëngul që takimet të zhvillohen me prezencën e medieve. Kjo pasi që nga takimi i parë, Kryeministri Albin Kurti, zbuloi pjesë të bisedimeve, gjë që nuk i pëlqeu kreut të SBASHK-ut.
“Presim të kemi takime në vikend me Qeverinë e Kosovës. Jo takime me monolog por me dialog, takime ku unë do të insistoj që patjetër mediet të jenë të pranishme ku dihet se cfarë them unë dhe cfarë thonë ata, ku as njera pale nuk mund t’i luaj fjalit edhe të tërheqë opinionin. Ne s’kemi se çka fshehim. Takimi le të jetë takim i hapur”, tha Jasharaj për Arbresh.info.
Të njëjtën gjë Jasharaj thotë se do ta kërkoj edhe nga diskutimi për projektligjin për pagat, pra që gjithçka të jetë e hapur për mediet. Jasharaj shtoi se greva në këtë situatë do të vazhdoj, dhe se çështja nuk është tek 100 eurot.
“Nuk është e vërtetë që SBASHK-u e ka kërkesë vetëm për 100 euro. Të gjithë në BSPK e kemi kërkesë ligjin e pagave, ligjin e shërbyesve civil, ligjin për shëndetësinë etj, në mënyre që të përballemi më lehtë me çmimet e papërballueshme. Nuk është çështja te 100 eurot”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se ata janë në pritje të një oferte që do t’i kthente mësimdhënësit në shkolla. E një gjë të tillë e duan me patjetër ekspertët e arsimit.
Rinor Qehaja nga isntituti Edgard, tha se mjaft u humb kohë mësimi duhet të fillojë.
“Hapi i parë, është rikthimi i procesit mësimor. Kjo nuk guxon as të jetë pjesë e dialogut social. SBASHK, në veçanti të konsideroj reagime tjera sindikale që nuk cenojnë mësimdhënien. Askush nuk po e konteston rritjen në pagë, sikurse që askush nuk mund të na argumentoj që duhet të ndëshkohen nxënësit për rritjen në pagë. Është padrejtësi dhe e pakuptimtë të vazhdoj më shumë kjo situate”, përfundoi Qehaja.
Në anën tjetër, njohësi i fushës së arsimit Jonuz Salihaj, tha se projekt-Ligji për paga ka qenë mollë sherri për mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit pasi që nuk është trajtuar si prioritet nga Qeveria.
“Tani ky projektligj nuk mund të konsiderohet si zgjidhje për këtë vit shkollor sepse nuk ka gjasa të implementohet para shtatorit të vitit të ardhshëm për shkak të procedurave që janë të parapara në Kuvendin e Kosovës. Gjithmonë gjendet një palë e pakënaqur që ligji të procedohet ne Gjykaten Kushtetuese. Pra SBASHK-u po kërkon një shtesë simbolike per neutralizimin e inflacionit që është vazhdimisht në rritje”, tha Salihaj.
Po ashtu, ai tha se kurrë nuk mund të mbështetet greva e cila bllokon procesin mësimor.
“Po mos të kishte ekzistuar kryeneçësia e Qeverisë zgjidhja ka qenë e mundur pasi SBASHK-u ka heq dorë nga kërkesat maksimaliste. Tani radhën e ka Qeveria. Nuk ekziston çmim që arsyeton bllokimin e mësimit”, tha Salihaj.
Ndërsa sa i përket mbajtjes së mësimit në disa shkolla, Jasharaj thotë se aty këtu ka ndonjë individ që punon.
“Në SBASHK punëtoret e arsimit kanë hy me vullnetin e tyre në grevë. Ne nuk do të marrim masa ndaj atyre që punojnë e as nuk do të i kritikojmë, por i mbetët anëtarësisë të vendosë dhe kur të vendos anëtarësia të punojë ne e përkrahim dhe ne e kemi obligim të vendosim ashtu si të vendos anëtarësia e SBASHK-ut”, tha Jasharaj.
Ka më shumë se dy javë që mësimdhënësit janë në grevë duke “ngujuar” më shumë se 300 mijë nxënës nëpër shtëpitë e tyre./arbresh.info/
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
“Krishtlindja këtë vit nisi me një mrekulli të vogël”, Rama ...
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...