Jasharaj: Kam frikë se mund të fillojë një grevë e heshtur tek mësimdhënësit

10:00 | 21 Shkurt 2024
A Z

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimdhënësit janë tejet të pakënaqur me Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit.

Jasharaj  tha se “ka frikë se ata mund ta fillojnë një grevë të heshtur”.

“Mësimdhënënësit janë tejet të zhgënjyer dhe jo të motivuar për punë. Them se në njëfar forme ata mund ta nisin edhe një lloj “greve të heshtur”, duke i humbur disa minuta nga ora e mësimit, duke debatuar me kolegët rreth pagave dhe pakënaqësive që nuk po gjejnë zgjidhje”, tha Jasharaj për Klankosova.tv

“Ne kemi pasur pakënaqësi rreth Ligjit të Pagave dhe koeficientit, sidomos tek ata parauniversitar, pasi që ka pasur një rritje prej 28 eurosh tek këta mësimdhënës dhe kjo është tejet ironike dhe ne kërkojmë që të përfillen kërkesat tona nga ana e qeverisë”, tha ai.

Ai theksoi se profesioni i mësimdhënësit në Kosovë po bëhet i padëshirueshëm.

“Po e vërej se ngadalë profesioni i mësimdhënësit po bëhet më i zhvlerësuar dhe i padëshirueshëm. Kjo për faktin se më herët kemi pasur një konkurrencë tejet të madhe për një vend në Fakultetin e Edukimit, ka qenë 10 kandidatë për një indeks, ndërsa sot interesimi ka rënë dukshëm”, theksoi ai.

Kreu i SBASHK-ut shtoi se vendi mund të mbetet edhe pa kuadro në arsim.

“Me heqjen e vizave, vendi mund të mbetet edhe pa kuadro në arsim. Kjo për faktin se disa prej mësimdhënësve kanë nisur edhe të marrin pushim pa pagesë e të dalin jashtë vendit e ta provojnë një jetë të re atje. Njëjtë mund ta bëjnë edhe kolegët e tyre”, tha kreu i SBASHK-ut.

Rrahman Jasharaj, ftoi Qeverinë që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre dhe të reflektoj duke i plotësuar ato.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme