Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcit, e cila mbrëmë paralajmërimin e kësaj sindikate për grevë më 1 shtator e quajti kërcënim dhe tha se është i papranueshëm.
Sipas Jasharajt, funksioni dhe kolltuku e kanë ndryshuar Nagavcin.
“Ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci. Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se “greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes” për të shtuar, veç tjerash edhe se “ …sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës””, thuhet në reagim.
Nga SBASHK i kanë kërkuar Nagavcit dhe Qeverisë që t’i hapin dyert për takime e dialog.
“Ministre nëse ju dhe Qeveria vërtetë brengoseni për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva angazhohuni dhe hapni dyert për takime e dialog dhe për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Na vjen keq sa shumë të ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku znj. Nagavci
SBASHK-u do të ndjehej i lumtur sikur Ministrja Ngavci me deklarimin e saj publik të sillte lajmin se pas angazhimeve të saj Qeveria , më në fund, ka ndryshuar qasjen ndaj dialogut me sindikatat dhe se do të nis me takimet e dialogun në përpjekje për të gjetur bashkërisht zgjidhje për kërkesat legjitime të SBASHK-ut dhe sindikatave tjera për të mos pasur nevojë për veprime sindikale dhe për grevën e përgjithshme. Mirëpo kjo nuk ndodhi e në vend të kësaj Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, po alarm , do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti.
Ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci. Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se “greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes” për të shtuar, veç tjerash edhe se “ …sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës”.
Ministre atëherë dhe tani SBASHK-u ishte dhe mbetet po ky i njëjti dhe kërkesë kryesore edhe tani lidhet me Ligjin e pagave, por tani ju mundoheni ta arsyetoni Qeverinë pa as edhe një argument dhe se është fajtorja e vetme dhe e kritikoni pa as edhe një fakt SBASHK-un. Sa shumë ju ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku juve znj. Nagavci.
Ministre opinionit duhet thënë të vërtetën dhe nëse bazohemi në fakte, atëherë SBASHK-u dhe sindikatat tjera më shumë se në të kaluarën tani kanë arsye të shkojnë në veprime sindikale dhe në grevë të përgjithshme sepse: Dërguam dhjetëra herë shkresa për takime me institucionet me qëllim që të bisedojmë për kërkesat e anëtarësisë dhe të mundoheshim bashkërisht të gjejmë zgjidhje të pranueshme, por Qeveria heshti ndaj këtyre angazhimeve tona dhe i iku dialogut dhe takimeve. Për ta nxitur Qeverinë për dialog e marrëveshje të pranueshme organizuam veprime të përshkallëzuara sindikale duke nisur me protestën e 8 prillit, grevën njëorëshet në tërë sistemin arsimor dhe në sektorët tjerë, protestën e 20 majit me pjesëmarrje masive të anëtarësisë, për këto Qeveria nuk qau kokën. Dërguam letra e lutje edhe te Presidentja e Kryeparlamentari e madje edhe te secili deputet duke i lutur që të angazhohen që të ketë dialog e marrëveshje. Shfrytëzuam edhe mundësinë e fundit për dialog duke angazhuar ndërmjetësuesin dhe i bëmë këto në përpjeke që të ndryshojë qasja e gabuar e Qeverisë dhe që të mos kemi nevojë të shkojmë në grevë të përgjithshme , por Qeveria injoroi të gjitha këto duke na sjellë në pozitë që të mos kemi më as mundësi tjera dhe ne duhet ta respektojmë zërin e anëtarësisë dhe shkojmë në grevë të përgjithshme. Këto fakte që i përmendem dhe shumë të tjera dëshmojnë se për këtë situatë të krijuar dhe për grevën që do të ndodh në javën e fundit të gushtit dhe nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, atëherë greva do të vazhdojë edhe më 1 shator e tutje deri sa nuk realizohen kërkesat legjitime të punëtorëve arsimor dhe të punëtorëve tjerë në sektorin publik , fajtori i vetëm është Qeveria e Kosovës. SBASHK-u dhe sindikatat tjera bëmë gjithë këto angazhime e veprime që të mos vijmë te greva e përgjithshme Qeveria nuk bëri asgjë përveç që vazhdojë me qasjen e gabuar dhe me injorimin e kërkesave të sindikatave. Aq më keq Qeveria vazhdon të lavdërohet se ka krijuar buxhetin më të madh të të gjitha kohërave e po ashtu edhe ekspertë të ekonomisë kritikuan se Qeveria ka tepër shumë para , që i mbanë të paluara . Pra, ka mundësi e buxhet , por nuk do të plotësojë as një kërkesë të sindikatave dhe kështu sikur po na thotë të shkojmë në grevë të përgjithshme .
Ministre nëse ju dhe Qeveria vërtetë brengoseni për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva angazhohuni dhe hapni dyert për takime e dialog dhe për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë.
Më 2 gusht,
SBASHK
Kryetari Rrahman Jasharaj. /arbresh.info/
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...