Google ADS

Japonia përveç mbi 700 mijë dollarëve për Kosovën, siguron edhe 2500 tableta ilaçe kundër COVID-19

13:56 | 27 Maj 2020
V. S.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë Mitsunori Ogasawara.

Konjufca njoftoi se përveç 718 mijë e 200 dollarëve që Japonia ka ndarë për ndërtimin e kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor, ky shtet ka vënë në dispozicion 2500 tableta ilaçe kundër koronavirusit.

“Sot, në cilësinë e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Drejtorin për Marrëdhënie Dypalëshe z.Delfin Pllana, prita në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës z.Mitsunori Ogasawara. Në takim u bisedua për betejën e deritanishme në përballjen me pandeminë COVID-19 dhe sfidat e mëdha që kjo pandemi ka shkaktuar në mbarë rruzullin tokësor. Z.Ogasawara njoftoi se qeveria e Japonisë ka ndarë një donacion në vlerë prej $718,200 për popullin e Kosovës i cili i dedikohet ndërtimit të kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor. Po ashtu, qeveria e Japonisë ka vënë në dispozicion 2500 tableta të ilaqit Avigan (Favipiravir) për pacientët kosovar për trajtim në mënyrë që të zgjerohet hulumtimi klinik kundër COVID-19. Z.Ogasawara më njoftoi po ashtu edhe për projekte tjera të asistencës teknike prej të cilave institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë në ekspertizë dhe ndërtim të kapaciteteve. Me këtë rast, i shpreha mirënjohjen e thellë z.Ogasawara për këtë ndihmë të çmuar të ndarë nga qeveria e Japonisë, një vend mik i Republikës së Kosovës, me të cilin mezi presim të thellojmë raportet e ndërsjella, tanimë që jemi në pritje të hapjes solemne të Ambasadës së Japonisë në Prishtinë”, ka shkruar Konjufca në facebook./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme