Google ADS

“Janë të rrejshme informacionet se grupe të armatosura nga Kosova po shkojnë në Maqedoni”

14:15 | 6 Maj 2017
Arbresh.info

Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një reagim përmes të cilit përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe, për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ mbështetur në informatat e siguruara nga institucionet e sigurisë, informon se shkrimet e disa ditëve të fundit janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendecioze që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Ato janë pjesë e një fushate të lajmeve të rrejshme që kanë për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Çdo tentativë, e kujdoqoftë, për të paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euro-atlantike, për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar.

Këto tendenca, për ta prezantuar Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurtë, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për të goditur interesat vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës.

MPJ siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, vazhdimisht janë proaktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit.

Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar.

Krahas shumë aktiviteteve operative, Policia e Kosovës në kuadër të procesit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, ka një bashkëpunim të shkëlqyer ditor me autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë përgjatë brezit kufitar dhe realizon takime të rregullta edhe me prezencën e trupave të KFOR-it. Si rrjedhojë, asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla përkitazi me shkrimet e rrejshme të mediave serbe pas të cilave qëndron politika zyrtare e shtetit serb.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të përkushtuara në përmbushjen e misionit të tyre për siguri dhe stabilitet në Kosovë, si dhe janë në partneritet të vazhdueshëm me shtetet e rajonit e më gjerë për adresimin e rreziqeve të mundshme në Kosovë apo në rajon./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme