A janë siguruar numrat për Demarkacionin, deklarohet Xhavit Haliti

13:53 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Ani pse seanca për demarkacionin do të vazhdojë sot, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk ka ende informacion se koalicioni i ka siguruar numrat për ta miratuar marrëveshjen, megjithatë është shprehur optimist se numrat do të bëhen.

“Nuk e di, nuk kam informacion që janë siguruar numrat. Mendoj se do të duhej që sot deri në përfundim të orarit të ishin emrat e të gjithë deputetëve të garantuar që do ta votojnë. Nuk e di si janë punët, por unë besoj që do të bëhet”, ka deklaruar ai për Gazetën “Zëri”.

Në të kundërtën, po qe se nuk sigurohen numrat, Haliti ka konsideruar se marrëveshja për shënimin e kufirit nuk duhet të hidhet fare në votim.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka garantuar se “Nisma” si subjekt do të jetë unike, në mbështetje të demarkacionit. Porse, nuk ka dashur të flasë nëse si koalicion qeverisës i kanë apo jo numrat për ta ratifikuar marrëveshjen.

“Unë mund të flas vetëm në emër të deputetëve të Nismës, të cilët nesër do ta votojnë ligjin për demarkacionin”, ka theksuar Sherifi.

Në anën tjetër, deputeti Ramiz Kelmendi (LDK) tashmë ka deklaruar se nuk do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit./Zeri

Të ngjashme