Jakup Krasniqi kërkon nga politikanët të ndahen nga çdo formë e dhunës

10:47 | 7 Tetor 2017
Arbresh.info

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi,  ka ftuar krerët e partive politike që të ndahen njëherë e mirë nga çdo formë e dhunës, kërcënimit, shantazhit, fyerjeve dhe nga çdo formë e kërcënimit apo e denigrimit të bashkëkombëseve.

Ai ka shkruar në facebook se “NISMA kërkon nga politikanët e rangut të “lartë” që opinionin t’ia prezantojnë vlerat e tyre politike, ideologjike, intelektuale, kulturore e kombëtare, përkushtimin e dashurinë për t’ju shërbyer njerëzve, por assesi ati t’ia prezantojnë forcën e muskujve, agresivitetin primitiv, gjuhën fyese, kërcënuese e denigruese”.

 

Postimi i plotë i Krasniqit në facebook:

POLITIKANË – SHPALOSNI VIRTYTE NJERËZORE E JO AGRESIVITET … !

NISMA duhet të ndahet qartazi e pa ekuivokë nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e ti shikoj drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë se tyre haptas e çiltas.

NISMA se bashku me te edhe qytetarët duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon siguri e stabilitet, që nuk ka mendje e zemër që t’i shoh e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë të këtij vendi.

NISMA i fton krerët e partive politike që të ndahen njëherë e mirë nga çdo formë e dhunës, e kërcënimit, e shantazhit, e fyerjeve dhe nga çdo formë e kërcënimit apo e denigrimit të bashkëkombëseve.

NISMA kërkon nga drejtuesit e partive politike që gjithçka që ia lejojnë vetvetes apo aktivistëve të partive të tyre, mos t’ua mohojnë as aktivistëve të partive të tjera?! Secili le të llogarit se çkado që i dhembë njërit, i dhembë edhe tjetrit. Në fund të fundit, “çka mbjell edhe e korrë”!

NISMA kërkon nga politikanët e rangut të “lartë” që opinionin t’ia prezantojnë vlerat e tyre politike, ideologjike, intelektuale, kulturore e kombëtare, përkushtimin e dashurinë për t’ju shërbyer njerëzve, por assesi ati t’ia prezantojnë forcën e muskujve, agresivitetin primitiv, gjuhën fyese, kërcënuese e denigruese. Këta të fundit është mirë që t’i drejtohen për ndihmë psikiatrit! Egocentristet askund dhe asnjëherë nuk kanë prezantuar e as prezantojnë vlera demokratike!

Njeriut tonë sot i duhet shumë edukim e hiq frustrim! Frustrimin na e la me shumicë e kaluara! E sotmja ia ka nevojën shumë, tepër shumë, gjuhës e mendjes së urtë njerëzore!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme