Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi dërguar medieve ka komentuar situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Ai akuzon liderët e partive politike se më shumë merren me atë se si ta grabisin pushtetin politik sesa me interesin nacional e qytetar.
Krasniqi thotë se këto politika janë të gabuara dhe liderët politikë duket të shkëputen nga to sa më parë.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Ç’TREGON PERIUDHA KOHORE QERSHOR-GUSHT 2017?
Zhvillimet politike të pas 11 qershorit 2017 konfirmuan për të satën herë se në Kosovë nuk kemi parti politike që dallimet e tyre i kanë në programet politike, ideologjike apo qoftë dhe nacionale. Kjo mangësi e madhe programore, politike dhe ideologjike po i bëjnë partitë tona hidhnake, fodulle dhe armiqësore me njëra-tjetrën. Në vend se këto ta kundërshtonin njëra-tjetrën mbi baza parimore, politike e ideologjike, si në gjithë botën demokratike, këtu i bien fort gjuhës që prodhon vetëm armiqësi. Konsideroj se vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht 2017, e konfirmon katërçipërisht këtë që po e themi.
Në një situatë të tillë natyrshëm shtrohet pyetja: Kosova, me këtë shkallë të armiqësive ndërpartiake, a mund të ketë ecje progresive të dëshirueshme dhe të pritshme nga secili shtetas i Republikës? Përgjigjja e shpejtë, për të ardhur keq, do të ishte: Me këto parti politike, sidomos me lidershipin e tyre, që prodhojnë armiqësi të dëmshme për proceset që ka përpara Kosova, me pak apo aspak marrëveshje politike imediate, gjithnjë në interes më madhor se veta e parë (lideri) apo shumës (partia), lere më ndërpartiake, pastaj shteti i së drejtës etj. nuk mund as të ndërtohet, as të ketë pritshmëri relevante! Kombit nuk mund t’i afrohet asnjë shpresë zhvillimi, progresi e perspektive. Për të kapërcyer këtë gjendje duhet një organizimi i ri politik,i cili fillimisht shikon interesin nacional e qytetar, konform një programi të qartë politik e ideologjik. Partitë ekzistuese (në radhë të parë më të vjetrat, ato më me ndikim…) në gjithë historinë e organizimit të tyre politik, jo vetëm që nuk kanë bërë hapa përpara në zhvillimin e demokracisë së brendshme, por përkundrazi kanë hapëruar shumë drejt një despotizmi të egër politik, duke ua lënë gjithë vendimmarrjen të ashtuquajturve liderë. Të tillë liderë, ashtu siç e kanë grabitur pushtetin politik brenda përbrenda partive politike, synojnë ta grabisin edhe pushtetin politik në qeverisjen e vendit, prandaj krijojnë shumë armiqësi ose edhe kur merren vesh disi, merren vesh jo si të qeverisin më mirë, por “si ta ndajnë tepsinë” që ua jep pushteti. Nga këto praktika të shëmtuara, politika jonë duhet të shkëputet sa më parë! Dhe sa më parë, aq më mirë!
Gjithashtu, organizimi i tashëm politik ka treguar se edhe kur kanë ndryshuar liderët politikë, praktikat në drejtimin e partive politike kanë mbetur ato të vjetrat (kujto ndryshimet në LDK dhe PDK). Kjo praktikë politike e instaluar mbrapshtë që në vitet e ’90, duhet ndryshuar rrënjësisht. Në një situatë të tillë, shtrohet si domosdoshmëri nevoja për një organizim të ri të politikanëve liridashes e demokratëve të verifikuar në periudha të vështira. Të tillet nuk i mungojnë vendit tonë e që janë eliminuar, injoruar, të mos themi harruar(!) nga partitë e vjetra ekzistuese. Është fjala për njerëz të cilët kanë dëshmuar e do të dëshmonin se e duan shtetin e kombin, e duan zhvillimin e progresin dhe mund ta bëjnë kthesën që i duhet kombit e shtetit tonë. Ata janë në mesin tonë. Veçse duhet organizuar për t’i dhënë drejtimin e duhur kombit e shtetit.
Është interesant fakti se, edhe pse zgjedhjet e 11 qershorit 2017 kanë sjellë disa emra të rinj në legjislativin e vendit nga sfera e opinionistëve e shoqëria civile, në substancë, gjuha politike në partitë që kanë aderuar, mendësia politike e këtyre partive jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por pikërisht këto “kuadro” të “reja” janë bërë flamurtare të armiqësive të shtuara, mbase edhe më primitive sesa ishte para këtyre aderimeve. Pra, këto “kuadro” në vend se të sjellin një frymë të re në komunikimin ndërpartiak, një dashuri më të madhe për kombin e për shtetin e së drejtës, po përhapin frymë të re armiqësore brenda kombit. Madje kanë një urrejtje të veçantë ndaj Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe ndryshimeve rrënjësore, cilësore, shtetndërtuese të bëra dhe të pranuara ndërkombëtarisht. Çuditërisht, të njëjtit, këtë frymë nuk e tregojnë ndaj faktorëve të jashtëm, që janë jo më pak përgjegjës për realitetin që kemi në vendin tonë. Ndaj këtyre të fundit në të shumtën shfaqen më miqësor ose së paku shumë më të moderuar nëse jo edhe servilë të pacipë!
Të përfundojmë: Koha është që të rigrupohen në parti progresiste të se majtës socialdemokrate të gjithë ato kuadro politike të dëshmuara për idetë e tyre çlirimtare e liridashëse, të gjithë intelektualët e rinia progresiste, për t’i shtyrë tutje idetë e mirëqenies shoqërore.
Kombi e shteti është në pritje të këtyre njerëzve vullnetmirë, të cilët duhet ta sjellin ndryshimin e shumëpritur!
Ndryshe, muajt qershor, korrik e gusht janë një kohë e çmuar për shtetin, Kosovën, për qytetarët e rininë e saj, por e humbur koti!
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...