Jahjaga: Serbia para 20 vjetësh synoi të na zhvesh nga dinjiteti njerëzor

20:18 | 26 Qershor 2019
L G

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga bashkë me të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman , kanë qenë të pranishme në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së deputetëve të Parlamentit italian, raporton arbresh.info.

Jahjaga tha se në këtë seancë, bahskë me  Vasfije Krasniqi-Goodman  kanë shpalosur kërkesën për ndëshkim të krimeve të luftës të ushtruara nga pala serbe në Kosovë, specifikisht, përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte dhe vënien e drejtësisë në vend.

“Serbia para 20 vjetësh synoi të na zhvesh nga dinjiteti njerëzor duke kryer një fushatë të egër të dhunimeve seksuale me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova. Pasojat e luftës kanë bërë kthimin në normalitet shumë te vështire. Lufta nuk ka ndikuar vetëm në lidhjet ndër-etnike. Ajo ka përçarë komunitete gjithashtu. Përdorimi i përdhunimit si mjet lufte ka pasur për qëllim që të beje luftën të zgjasë përgjithmonë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ajo ka shtuar se përveç Vasfije Krasniqi-Goodman ka takuar edhe qindra gra dhe burra të tjerë që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Unë kam takuar qindra gra dhe burra të mbijetuar nga dhuna seksuale. Përjetimi i tyre i dhimbshëm është ende i gjallë, prej të cilit ato ende vuajnë nga lëndimet trupore dhe simptomat e rënda të çrregullimit të stresit post-traumatik. Mënyra e vetme për t’i ndihmuar këto gra dhe burra që te vazhdojnë jetën pas tmerreve të luftës është drejtësia”, është shprehur Jahjaga.

Sipas saj, duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar një paqe afatgjatë./Arbresh.info

 

 

Të ngjashme