Google ADS

UP-ja ushtron padi të re ndaj Komunës së Prishtinës dhe Kishës Ortodokse Serbe

14:16 | 29 Nëntor 2017
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mërkurën ka ushtruar padi të re në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me pronësinë e tokës që gjendet në kampusin e këtij universiteti.

Padinë e re, e ka dorëzuar të mërkurën, sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës e ka pasur në posedim patundshmërinë në ngastrën kadastrale të Komunës së Prishtinës, në ngastrën kadastrave nr.07090-14 në sipërfaqe të përgjithshme prej 4.27.16 hektarë.

UP-ja pretendon se këtë pronë e ka pasur nga 12 dhjetori i vitit 1975 në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar duke marrë parasysh se e njëjta pronë ka qenë pjesë përbërëse e kampusin universitar.Universiteti i Prishtinës, pretendon se e ka të drejtën ligjore të shfrytëzimit të patundshmërisë sepse sipas UP-së, Komuna e Prishtinës duke vepruar pa ndonjë bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme, në kundërshtim me Planin Detal Urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë, më 26 shtator 1990, ia ka dhënë në pronësi të paditurës së dytë, Kishës Ortodokse Serbe Xh.SH. Nikolla XH. Srbska, dhe në këtë mënyrë ka uzurpuar një sipërfaqe 0.54.12 hektarë dhe oborr prej 3.73.04 hektarë.

“Patundshmeria e cila është objekt i kësaj padie, e paditura e parë-Komuna e Prishtinës, pa bazë të vlefshme juridike e në mënyrë të kundërligjshme/në kundërshtim me Planin Detal Urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë dhe destinimin e saj-pjesë e kompleksit universitar, në kundërshtim me Planin Detal Urbanistik të Qendrës Universitare,me 26.09.1990, të njëjten ia ka dhënë në shfrytezim të paditurës së dytë, Kisha Ortodokse Serbe XH.SH. Nikolla XH. Srpska, në të cilën e njëjta, duke uzurpuar këtë pjesë, ka ndërtuar objekt fetar Kishë Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqen prej 0.54.12 ha, me oborr ne pjesën prej 3.73.04 ha”, thuhet në padinë e UP-së.

Në bazë të padisë, këto veprime janë marrë nën masat e autoritetit të dhunshëm komunal, ish-Këshilli Ekzekutiv, në një periudhë kohore që sipas Rregullores së UNMIK-ut, Nr. 1999/24, për ligjin e zbatueshëm të datës 12 dhjetor 1999, çdo ligj, rregullore, vendim administrativ ose vendim gjyqësor të nxjerra pas datës 22 mars 1989, janë të natyrës diskriminuese dhe nuk mund të zbatohen në Kosovë.

“Përtej argumentimit ligjor të veprimeve të sipërmendura, të marra nën masat e dhunshme dhe nga autoriteti i dhunshëm komunal (ish Këshilli Ekzekutiv) rrjedhimisht vendimit tërësisht të kundërligjshëm, referenca më tutje dërgon edhe në Rregulloren e UNMIK-ut Nr.1999/24 për ligjin e zbatueshëm e datës 12 Dhjetor 1999. Me këtë rregullore të gjitha ligjet, vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 Mars 1989 që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë”, thuhet në padi.

UP-ja në kërkesëpadinë e saj, kërkon që Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të procedurës gjyqësore të nxjerrë aktgjykim me të cilën do të aprovojë kërkesëpadinë e UP-së se e njëjta e ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në kampusin universitar, për të cilën pretendon se është duke e uzurpuar Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Sava”.

UP-ja po ashtu kërkon që të detyrohen Komuna e Prishtinës dhe Kisha Ortodokse Serbe që Universitetit të Prishtinës të ia kthejnë këtë pronë në shfrytëzim të papenguar nën kërcënimin e përmbarimit me dhunë. Po ashtu, UP-ja kërkon që Komuna e Prishtinës të obligohet ta bëj ndryshimin e bartësit të së drejtës së shfrytëzimit së patundshmërisë.

Ndryshe, Universiteti i Prishtinës në dhjetor të vitit 2012 kishte ushtruar padi kundër Kishës Ortodokse Serbe me pretendimin se ka uzurpuar pronën në kampusin e Universitetit të Prishtinës.Në vitin 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte marrë vendim që të hedhet padia me arsyetimin se pala paditëse nuk kishte marrë pjesë në seancën kryesore të cilën e kishte caktuar gjykata dhe në këtë mënyrë padia ishte konsideruar e tërhequr.

Universiteti i Prishtinës kishte ushtruar ankesë kundër këtij vendimi, me ç’rast mungesën e ka arsyetuar me faktin se në kohën kur kishte ardhur ftesa në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës kishte protesta dhe në këtë formë nuk kanë pasur njohuri se iu kishte ardhur ftesa.Së fundmi, Gjykata e Apelit, më 27 tetor të këtij viti, e ka hedhur poshtë ankesën e UP-së duke e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë./Betimipër Drejtesi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme