Pak më shumë se një muaj ka mbetur kohe deri te vendimi final për aktakuzën e propozuar ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Prokuroria Speciale.
Kjo pasi më 24 tetor përfundon afati kur duhet të dihet nëse aktakuza e propozuar nga prokurorët amerikanë të speciales qëndron apo duhet hedhur poshtë.
Më 24 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara një aktakuzë ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh lufte. Për konfirmim të aktakuzaës apo jo, duhen gjashtë muaj prej ditës së publikimit. Ky njoftim ishte publikuar në kohën kur Presidenti Thaçi ishte duke udhëtuar nga Kosova për në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të nënshkruhej marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizim ekonomik.
Dhomat e Specializuara e publikuan aktakuzën më 24 qershor. U arsyetuan se nxjerrja e njoftimit ishte e domosdoshme, pasi Thaçi dhe Veseli ishin përpjekur për të penguar punën e Dhomave të Specializuara.
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Burime të Express kanë treguar se udhëheqësit kryesorë të sistemit të drejtësisë, para një muaji, kanë pasur takim me Shefin e Shtetit në përpjekje për të gjetur modalitete për të zhbërë Specialen ose për të kthyer selinë e saj në Prishtinë. Madje, njëri prej përgjegjësve të sistemit të drejtësisë kishte thënë se një gjë e tillë mund të bëhet pasi lënda të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, i njëjti nuk ka pasur njohuri se Zyra e Gjykatës Kushtetuese për Specialen ndodhet në Hagë e jo në Prishtinë.
Sidoqoftë, në njoftimin e Speciales thuhet se Thaçi, Veseli e të tjerë akuzohen për vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje e tortura.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar tjerë janë përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin për ngritje të aktakuzës, thuhet se “Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm”.
“Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thekson njoftimi i Dhomave të Specializuara./Arbresh.info/
Ekskluzive| Richard Grenell të hënë në Kosovë, flasin nga zyra e tij
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...