“Izoloni shtëpitë para se të bëhet ftohtë”, deklarata e ministres Rizvanolli cilësohet qesharake

10:53 | 2 Tetor 2022
A Z

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli këto ditë është bë “virale” me deklaratën e saj, se për tu kursyer energjia elektrike qytetarët duhet të izolojnë shtëpitë e tyre për të tejkaluar dimrin më lehtë.

E, kjo ide e ministres Rizavanolli, ende nuk është ‘shitur’ siç duhet në opinion.

Të paktën, bazuar në reagimet e qytetarëve, ato të shoqërisë civile, e mbi të gjitha oponentëve politikë . Sidomos këta të fundit, nuk po e shohin serioze një deklarim të tillë.

Për, deputetin e PDK-së Hisen Berisha, qeveria nuk po gjen zgjidhje afatgjate, andaj po mjaftohet vetëm me deklarata, i cili i quan dëshpëruese deklaratat e tilla.

“Qeveria po tallet me qytetarin, kjo është shumë dëshpëruese, kjo deklaratë ishte kulmi. Kjo është ministre e papërgjegjshme të ju thuhet qytetarëve të izoloni shtëpitë. Kjo i bie se nuk e kupton absolutisht se si jetojnë qytetarët e Kosovës.”, tha Berisha për Arbresh.info.

Sipas tij, një zbatim në praktikë do të kushtonte shumë.

‘Izolimi i shtëpisë është kosto, është një kosto më e madhe se sa ndërtimi fizik i një shtëpie. Shikoni, ajo thotë mos e përdorni rrymën për ngrohje, përdorni dru e pelet etj, por edhe ato duhet blihen, mjerimi social është që s’mund ta përballojnë as blerjen e tyre. Ndërtimet e reja nuk kanë oxhak dhe si të ndezët zjarri në ballkon. Këto janë fyerje që po i bëhen qytetarëve”, ka thënë Berisha.

Se ministrja bëri deklaratë pa analizë, e thonë edhe ekonomistët.

Ekonomisti Sejdi Rexhepin e quan ketë ide qesharake.

‘Në këtë mjegull pa program dhe pa ndonjë ide konkrete për tu përballur me mungesën eventuale të energjisë elektrike, njerëzit përgjegjës për të dhënë zgjidhje për të përballuar më lehtë koston por edhe për të jetuar burime alternative, japin këshilla qesharake, të cilat fatkeqësisht edhe sikur të ishin për ndonjë “shfaqje humoristike televizive” do të duhej të ishin të ndaluara, sepse përbuzin dhe përqeshin dinjitetin e qytetarëve. Andaj kërkesa për t’i izoluar shtëpitë për t’u ngrohur gjatë dimrit dhe për të kursyer energji është ide që nuk duhet as të komentohet’, tha Rexhepi.

Sipas tij, deklaratat e tilla janë ofenduese sidomos në kohën e çmimeve të larta në burimet alternative të ngrohjes, siç janë drutë, peleti, briketi apo edhe çmimi i derivateve të naftës.

Rexhepi thotë se ka futur frikë tek qytetarët dhe një brengë për çdo familje se si do ta përballojnë këtë dimër që po vjen.

Kujtojmë se, Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet./Vjollca Gajraku/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme