Ivanoviq propozon një model për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

23:40 | 15 Gusht 2017
Arbresh.info

Kufizimi ndërmjet serbëve e shqiptarëve në Kosovë vetëm në hartë do të dukej mirë, ka deklaruar politikani serb nga veriu i Kosovës Oliver Ivanoviq në një intervistë për DW dhe për zgjidhje ai propozon “modelin qipriot”.

Sipas fjalëve të tij, kufizimi do të thotë se Serbia e njeh atë pjesë të Kosovës në të cilën gjendet çdo gjë që është e rëndësishme për identitetin serb dhe kjo do të ishte vetëm njëra nga “zgjidhjet e lehta”.

“Këto janë zgjidhje që njerëzit i bëjnë duke shikuar hartën, duke bërë vija me laps të zi e duke harruar se pas kësaj fshihen viktimat dhe vuajtjet e disa njerëzve. Mendoj se Serbia nuk guxon t’ia lejojë vetes shkeljen e Kushtetutës së vet ashtu që njëanshëm ta njohë pjesën jugore të Kosovës. Me këtë “zgjidhje të lehtë” veriu do t’i takonte Serbisë në mënyrë që të mos i humbasim të gjitha. Këto janë qasje të thjeshtësuara. E vlerësoj Ivica Daçiqin, mendoj se është politikan me përvojë e i mençur, por në këtë rast ai po shkon drejt zgjedhjes që vetëm në hartë duket e mirë”, ka vlerësuar për b92 Ivanoviq.

Ai është i bindur se për Kosovën do të përsëritet “modeli qipriot” sepse, sipas tij, situata është shumë e ngjashme. Ai thotë se kjo është zgjidhja më e mirë pasi gjendja aktuale nuk është përfundimtare dhe e tillë nuk do të jetë përderisa të mos e pranojë Serbia.

“Mund të bisedojmë në Bruksel edhe 15 ose 20 vjet, por asgjë nuk do të zgjidhet sepse askush nuk do lëshojë pe nga pozicionet e veta bazike” .

Nga ana tjetër, sipas Ivanoviqit, shqiptarët e Kosovës janë në “turbulencë politike” e cila do të zgjasë së paku dhjetë vjet, përkatësisht edhe dy cikle zgjedhorë. Nga ana tjetër kemi bashkësinë ndërkombëtare, e cila aktualisht ka shumë çështje të tjera ndaj dhe nuk mendon se çështja e Kosovës duhet të kthehet në tavolinë deri në momentin që të mos shihet paralajmërimi i një zgjidhjeje tjetër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme