Google ADS

Ivanoviq e përmendi Radoiçiqin si sundimtar i errët i veriut të Kosovës

10:34 | 27 Shkurt 2018
Arbresh.info

Politikani serb, i vrarë në janar të këtij viti, në një intervistë për BIRN, përcjell Telegrafi, e përmendi Milan Radoçiqin si figurë kyçe dhe sundues i pushtetit në veriun e Kosovës të drejtuar nga serbët.

Ivanoviq në intervistë pohoi se pushteti në veriun e Kosovës nuk është në duart e institucioneve të zgjedhura por mbahet nga ‘qendrat informale të pushtetit’ dhe e përmendi Radoiçiqin si bartës i këtij sistemi informal të pushtetit.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e komunës, sepse ajo i takon qendrës informale të pushtetit”, tha Ivanoviq.

Më pas ai shtoi se “Presidenti [serb] Aleksandër Vuçiq e përmend Milan Radoiçiqin – kjo më shqetëson shumë – kur ai e merr atë si shembull të një personi që lufton për mbrojtjen e serbëve në Kosovë “.

Ivanoviq iu referua fjalëve të Vuçiqit kur në një konferencë shtypi të mbajtur në shtator ai e quajti Radoiçiqin si një nga pesë burrat dhe e falënderoi për “mbrojtjen e Serbisë në Kosovë”.

Radoiçiq, i cili në muajt e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes, ka lidhje të ngushta me elitat politike në Kosovë dhe Serbi, duke përfshirë Vuçiqin dhe Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai disa herë në Serbi është përballur me akuza ligjore dhe është një bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit kontravers serb, Zvonko Veselinoviqit.

Ivanoviq u qëllua për vdekje në Mitrovicë më 16 janar jashtë zyrave të partisë së tij ‘SDP’, e cila ishte kundërshtare me Lista Serbe që mbështetet nga Serbia.

Ai disa herë para se të vritej kishte thënë se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishin kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por nuk kishte marr asnjë përgjigje.

Rasti i vrasjes është ende i hapur dhe nuk ka pasur arrestime deri më tani dhe nuk ka asnjë tregues se Radoiçiq ka ndonjë lidhje me vrasjen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme