Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se Kosova më nuk duhet të bëjë kompromise me Serbinë, por vetëm të kërkojë njohjen si shtet.
Sipas tij, kushdo që do të udhëheqë fazën finale të dialogut nuk duhet të lejojë më marrëveshje të reja, pasi që “Kosova tashmë ka pësuar mjaft”.
“Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta dhe është treguar shumë konstruktive, madje edhe në dëm të vetin. Këtu duhet të jetë fundi i gjithë asaj dhe tani e tutje duhet të bisedohet vetëm për pranimin shtet-shtet, në mënyrë që të komunikojmë si fqinj. Nuk do të hyhet në tema tjera që e komplikojnë procesin. Temat që janë trajtuar atje shumica kanë qenë të brendshme për Kosovën dhe s’është dashur të diskutohen fare. I kanë sjellë dëme. Kompromisi më i madh ka qenë drafti i Ahtisaarit, ka qenë i dhimbshëm dhe s’ka pasur nevojë të shtohen tjera. Duhet të ketë njohje të shteteve reciprokisht në mënyrë që të shkohet drejt integrimeve”, është shprehur ai në Interaktiv të KTV-së.
Isufi ka thënë se AAK-ja kërkon rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun me Serbinë.
“Është caktuar limiti. Me rëndësi është të dihet se nuk do të ketë bisedime të lehta. Serbia ka bërë obstruksione gjatë bisedimeve. I kanë ndërprerë e madje kanë shkaktuar probleme edhe brenda Kosovës duke e shfrytëzuar pakicën serbe për të destabilizuar vendin. Ka intervenuar jashtë që të mos lejojë njohjen nga institucionet ndërkombëtare. Është fundi që të mos lejohet më lojë nga Serbia”, ka thënë Isufi. “S’ka më nevojë për kompromise, pos që Kosova është shtet i pavarur. Bashkimi Evropian duhet t’i tregojë Serbisë përfundimisht se më nuk mund të luajë me Kosovën. Këtu duhet të ngulë këmbë ekipi i Kosovës, që të mos lejojë dëmtim në integrim”.
Isufi po ashtu ka folur edhe për ankesën nga partitë opozitare që nuk e duan presidentin Hashim Thaçi në krye të delegacionit të Kosovës.
“Jemi në fazën përgatitore që të formulohet platforma dhe të ketë ekip që merr përgjegjësi për dialogun. Prejudikohet pak a shumë se kush i udhëheq bisedimet sepse dihet që presidenti Hashim Thaçi është marrë me këto bisedime dhe se kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar të kryejë punët në qeveri. Po ashtu dihet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i udhëheq bisedimet nga ana tjetër. Megjithatë, Kuvendi vendos për gjithçka. Më mirë është të debatohet dhe të jepen argumentet pse për e pse kundër Thaçit e më pas të kemi vendim të përbashkët. Sa herë ka pas unitet politik në raport me Serbinë, gjithmonë kemi dal më mirë. Kur s’kemi pasur harmonizim ka pasur gjithmonë lëshime ose gabime që më pas i kemi paguar shtrenjtë”, ka shtuar Isufi.
Isufi po ashtu ka bërë të ditur se partitë politike do të vazhdojnë me tryezat politike me përpjekjen për arritjen e unitetit për temat e mëdha. Sa i përket kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme, Isufi ka thënë se “ky eksperiment është i panevojshëm”.
“Të gjitha partitë kanë çështje të brendshme që nuk lejojnë të mbahen zgjedhjet dhe qeveria po funksionon. S’ka nevojë për eksperimente pasi Kosova është para disa proceseve të rëndësishme që duhet të mbyllë si ushtria, dialogu e liberalizimi”, ka theksuar Isufi./koha.net/
Cilat kompani gjermane do të largojnë mijëra punëtorë?
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...