Google ADS

Isufi për dialogun me Serbinë: Opozita t’i shpreh shqetësimet në tryezë të bisedimeve

18:49 | 2 Korrik 2018
M. A.

Partitë politike, në pushtet dhe opozitë, vazhdojnë të kenë kundërshti lidhur me mënyrën se si duhet qasur dialogut, si dhe për rolin udhëheqës të presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, në fazën finale të dialogut me Serbinë në Bruksel, dialog ky i cili pritet të përmbyllet me marrëveshje juridikisht obliguese për të dyja vendet.

Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se partitë politike, të pushtetit dhe opozitës, duhet t’i shprehin të gjitha vërejtjet dhe shqetësimet e tyre, në tryezë bisedimesh, përfshirë edhe kundërshtimet për rolin udhëheqës të presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë.

“Është mirë që kjo të vendoset në tavolinë, ku të gjitha subjektet do t’i shprehin mendimet e tyre dhe njëkohësisht i japin fuqi Kuvendit të Republikës së Kosovës, si organit më të lartë të shtetit, në mënyrë që të ketë edhe një kontroll parlamentar për bisedimet. Pastaj, pa paragjykime, mund të vendosen e dhe vijat mbi të cilat duhet të shkohet”, tha Isufi.

Isufi thekson se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë për arritjen e një uniteti në qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

“Partitë politike duhet të ulen në tryezë të përbashkët, të krijojnë platformën dhe po ashtu të bëjnë përzgjedhjen e ekipit, duke marrë secili përgjegjësinë e vet, në bazë të fuqisë politike dhe institucionale, si dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët, sepse Kosova, sa herë që ka dalë me një unitet, ka dalë më e fortë përballë rreziqeve që ka mundur t’i ketë në të kaluarën”, thekson Isufi.

Ndryshe, partitë opozitare në përgjithësi, deri më tash kanë kundërshtuar që presidenti Thaçi ta ketë rolin udhëheqës të procesit të dialogut me Serbinë. Ato kanë kërkuar që rolin udhëheqës në këtë proces ta ketë Kuvendi i Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme