Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe shefi i grupit parlamentar i kësaj partie, Ahmet Isufi, e ka quajtur qeveri të suksesshme Qeverinë Haradinaj meqë, sipas tij, ka marrë vendime të rëndësishme gjatë këtij viti.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky kabinet qeveritar ka krijuar disiplinë dhe angazhim praktik në të gjitha sferat e qeverisjes.
Prej të arriturave të saj, Isufi ka konsideruar vendimin për Termocentralin “Kosova e Re”, Ligjin për Prishtinën, Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për reformimin e administratës publike.
Ai ka thënë se nëse Qeveria Haradinaj vazhdon me këtë ritëm të punës do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës.
Sipas Isufit, një opozitë e çakorduar çfarë është aktualisht nuk paraqet rrezik për Qeverinë Haradinaj.