Isufaj priti në takim zyrtarë të lartë të shtetit gjerman, u pajtuan për intensifikim të bashkëpunimit

18:16 | 17 Korrik 2024
E.G

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Valdet Gashi, pritën në takim një delegacion të lartë të shtetit gjerman, kryesuar nga Sekretari i Shtetit Gjerman, Bernd Krösser.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe  Drejtori i Shtabit për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane në Ministrinë Federale të Brendshme, Michael Niemeier, Florian Bathe nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme, Thomas Lubnau, Zyrtar Ndërlidhës i Zyrës së Policisë Federale te Krimit, Stefan Dorbach, Zyrtar Ndërlidhës i Policisë Federale, si dhe nga Christian Böttcher, nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, shkruan Arbresh.info. 

Fillimisht, Isufaj falënderoi delegacionin gjerman për vizitën e bërë, duke theksuar se prania e tyre në këtë institucion është konfirmim i mbështetjes së veçantë për Prokurorinë Speciale dhe mbështetjes për të luftuar krimin e organizuar.

Gjithashtu Isufaj shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritashëm dhe për përkushtimin e treguar nga ana e zyrtareve gjerman në shërbim të sundimit të ligjit në Kosovë.

Më tej Kryeprokurori Isufaj, njoftoi delegacionin gjerman për organizimin dhe planifikimet strategjike që ndërlidhen me kompetencat e kësaj prokurorie, me ç’rast theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për luftimin e migrimit të parregullt, luftimin e krimit të kontrabandës dhe adresoi vështirësitë që kanë të bëjnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në fushën penale në rrugën përpara drejt konsolidimit të sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit Gjerman, Bernd Krösser, falënderoi Isufajn për mikpritjen, duke nënvizuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për Prokurorinë Speciale.

Të dy bashkëbiseduesit, u pajtuan që bashkëpunimi i ndërsjellë të vazhdojë dhe intensifikohet edhe më tej, në mënyrë që të respektohen  parimet dhe vlerat e pavarësisë, profesionalizmit dhe etikës profesionale të Prokurorisë Speciale dhe me qëllim që rezultatet e punës të arrihen siç është përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi./Arbresh.info/ 

Të ngjashme