Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka folur në Interaktiv të KTV-së për situatën e krijuar pas padisë që Z-Mobile ka ushtruar në Arbitrazh për 13.5 milionë euro dëmshpërblim.
Istrefi thotë se kompania është në proces të përzgjedhjes së një kompanie të madhe ndërkombëtare e cila do t’i përfaqësojë interesat e Telekomit në Arbitrazh.
“Me datën 1 nëntor kemi pranuar një padi nga Z-mobile për në arbitrazh. Me datën 2 nëntor jemi mbledhur Bordi në një mbledhje të jashtëzakonshme ku i kemi diskutuar të gjitha çështjet dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim në proces e sipër. Jemi në përgatitje të përzgjedhjes së një kompanie për përfaqësim, një kompani më të mirën në botë. Nuk dua të lëshohem në detaje”, tha ndër të tjera Istrefi.
Tutje ai tha se do të ketë transparencë gjatë përzgjedhjes së kompanisë përfaqësuese dhe tha se kompania ka konsultua të vazhdueshme me ekspertë të jashtëm.
“Në mbledhjen e fundit të bordit, ne vendosëm të bëjmë një përzgjedhje prej 10 kompanive më të mëdha botërore për të na përfaqësuar më së miri, dhe besoj se do të jetë një kompani jashtëzakonisht e madhe dhe serioze që do t’i mbrojë interesat e Telekomit”, tha më tej kryeshefi ekzekutiv i Telekomit.
Për pagesën, ai tha se nuk mund të paragjykohet se sa do të jetë.
Tutje, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit thotë se në procesin e tanishëm në Arbitrazh, ata do të jenë të kujdesshëm dhe nuk do të lejojnë lëshime sikurse në rastin e parë.
“Për herën e parë s’e di si ka shkuar si proces, por kësaj here do të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm. Do të tentojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të mos e humbim këtë rast”, u shpreh ai.
Bedri Istrefi ka folur edhe për periudhën e negociatave me Z-Mobilen para se rasti të dërgohej për herë të parë në Arbitrazh. Ai tha se Telekomi kishte arritur t’i ofronte një ofertë Z-Mobilet, por tha se të njëjtën ata s’ishin të interesuar ta pranonin.
Ai thotë se mirëbesimi gjatë negociatave është shkelur nga ana e Z-Mobilet.
“Nëse flasim për mirëbesim, në kohën kur kemi qenë duke negociuar me ta, Z-mobile na çon tek përmbaruesi për 25 milionë euro. Këtu ka shkelje të mirëbesimit nga ana e tyre”, tha Isdtrefi.
Më tej, ai ka folur edhe për ofertën që ia kishin propozuar Z-Mobilet për t’ua paguar borxhin prej 25 milionë eurosh.
“Kemi propozuar që të ndajmë borxhin prej 25 milionë euro, të paguajmë çdo muaj nga një pjesë. Ata s’e kanë pranuar, dhe tani jemi në proces për të parandaluar bllokimin e llogarive të kompanisë. Momentalisht nuk i kemi këto para. Edhe përmbaruesi edhe ligji në fuqi e lejojnë që në bazë të të hyrave që i ke, edhe gjykata nuk është se të krijojnë një situatë që të detyron të kryesh një pagesë me paratë për të cilat s’i kemi”, shton ai.
Konsumatorët e Z-Mobilet s’do të mbesin pa shërbime as një sekondë
Bedri Istrefi tha se shërbimet e përdoruesve të numrave të Z-Mobilet nuk do t’u ndërpriten për asnjë sekondë. Madje thotë se për ata konsumatorë do të ketë oferta shumë të mira.
“Faza e tranzicionit, e cila përfundon më 28 nëntor në ora 24:00. Migrimi do të bëhet në mënyrë automatike. Ne e kemi vendimin e ARKEP-it që thotë qartë se ia jep të drejtën Telekomit që t’i shfrytëzojë këta numra sepse janë të tyre. Numeracioni i Z-Mobile thotë se duhet t’i kalojë Telekomit të Kosovës, dhe në aspektin teknik ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi zotuar se konsumatorët e Z-Mobile nuk do të mbesin asnjë sekondë pa shërbime. U bëj ftesë konsumatorëve të Z-Mobile që pas datës 28 të vijnë sa më parë në pikat shitëse kudo në Kosovë që t’i japin të dhënat e tyre dhe të marrin kartelat e reja. Kemi oferta të mira për ta”, potencoi Istrefi.
Ai foli edhe për përfitimet financiare që do t’i ketë Telekomi me numrat e Z-Mobilet, duke thënë se përfitimet do të jenë rreth 1.2 milion euro.
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës foli edhe për problemet me të cilat po përballen konsumatorët gjatë realizimit të thirrjeve.
“Kemi telashe në komunikim, por është problem prej tash e rreth 1 vit, por do të përmirësojmë përmes një kontrate të re me një kompani të madhe për mirëmbajtje. Situata aktuale në Telekom ka nisur më herët. Tash e 4 vjet s’kemi kontratë mirëmbajtjeje dhe si pasojë e kësaj ka ardhur deri te degradimi i shërbimeve. Arsyeja që s’kemi kontratë për mirëmbajtje ka qenë gjendja financiare e Telekomit. Ne i kemi dhënë vazhdimisht para qeverisë, nga 2008 deri më 2015 që ka qenë e fundit, madje kjo e fundit na është marrë jashtëligjshëm. Na janë marrë 15 milionë euro. Në atë kohë ka pasur edhe presione të mëdha nga qeveria që Telekomin ta fusin në kredi. Nuk më kujtohet kush ka qenë në qeveri atëherë, por ka qenë viti 2015-16. Ne kemi kërkuar që këtë dividentë të na e kthejnë, por qeveria ka refuzuar të na e kthejë atë. Unë madje kam kërkuar një garancion bankar, por as kjo s’më është aprovuar”, theksoi Istrefi.
Istrefi thotë se ligji s’ia lejon shkarkimin e vëllait të Limajt nga Telekomi
Bedri Istrefi, kryeshef ekzekutiv i Telekomit, ka thënë se me ligj nuk i lejohet që të shkarkojë nga puna Demir Limajn, vëllain e Fatmir Limajt nga Telekomi.
Duke folur për numrin e stafit dhe punësimet partiake në këtë ndërmarrje publike, ai ka thënë se ka parë nevojën që të bëhen ndryshime dhe ka nisur të shohë performancën e secilit punëtor.
Duke folur në këtë temë, ai ka sqaruar edhe rastin e Demir Limajt, vëllait të Fatmir Limajt, të cilin e ka larguar nga pozita e Drejtorit të Shitjes. Ai ka thënë se nuk e ka shkarkuar Limajn, por se atij i është dashur të përcaktohet a dëshiron ta mbajë punë primare atë në Telekom apo atë në universitet.
“Kam parë nevojën që të bëhen ndryshime, por s’e kuptoj faktin që ndryshimet e mëdha në ndërmarrje publike të bëhen afera mediatike. Zoti Limaj nuk është shkarkuar nga unë. Ka qenë në Telekom nga 2002-a. Ai është dashur të përcaktohet, pasi mori thirrje akademike dhe ishte në shitjen e Telekomit dhe është dashur të përzgjidhte punën primare. Pashë se kishte ambicie të vazhdonte me jetën akademike dhe punë sekondare në Telekom. Pranova dhe vazhdova me hapjen e vendeve të punës nga brenda për drejtor të shitjes, zëvendësdrejtor për shitje. Kemi pas biseda, ndër to ishte edhe kërkesa e tij që së paku të mendojmë të bëjmë një përzgjedhje bashkë që të gjejmë një zyrtar me potencial për t’u përballur me sfidat. Ligjet në fuqi çfarë kemi e mbrojnë shumë punëtorin. Ai ka më shumë se dhjetë vjet përvojë e është e pamundshme të largohet nga puna, për vetëm nëse ai dëshiron të largohet. Ai mbetet staf i brendshëm, këshilltar i korporatës. Duke e parë përvojën e tij, pozitat që ka pasur çdo herë, atëherë me pozitën të cilën është, është vlerësuar edhe me të hyrat që janë 50 për qind më të ulëta se që ka pasur në pozitën e mëhershme. Ai është përcaktuar në jetën akademike. Ligjet ia lejonin dhe sipas ligjit është dashur të merret edhe vendimi”, ka thënë Istrefi teksa ka shtuar se nga zyrtarët ligjorë të Telekomit i është thënë se ky rast nuk përbën konflikt interesi.
Pasi që Limaj e ka dërguar rastin në Agjencinë e Antikorrupsionit, nëse aty del interpretimi që Limaj s’ka të drejtë të mbajë vendin e punës në Telekom, Istrefi ka thënë se “do të marrë masa patjetër aty ku ka shkelje ligjore”.
Istrefi po ashtu ka thënë se aktualisht Telekomi po përballet me situatë të rëndë si pasojë e vendimeve të menaxhmenteve të mëhershme, “pa procedura ligjore”.
“Janë 350 zyrtarë që janë ndërruar nëpër kohë të menaxhmenteve dhe të gjithë janë ankuar e të gjithë kanë fituar nëpër gjykata. Tash të gjitha këto vendime më ka rënë barra t’i zbatoj unë. Ka punëtorë që është ndërruar në vendin e punës dhe duhet të bëj pagesë 30-50 mijë euro për punëtorë. Në situatën që është s’guxoj të marr aso vendime. Unë po paguaj faturat”, ka thënë tutje ai.
Istrefi ka thënë se nuk i frikësohet ardhjes së Qeverisë që pritet të udhëhiqet nga Vetëvendosje. Sipas tij, s’ka asnjë pozitë të përhershme e se “s’ka asnjë vendim që do të më mbetet zhig pse nuk e kam bërë”.
Për punësimet e familjarëve të politikanëve që ishin në pushtet deri tash, Istrefi ka thënë se shumicën i kishte gjetur aty. Megjithatë, ka thënë se këta zyrtarë kanë profil me përgatitje të lartë e se kanë hyrë në vendet e punës me procedurat e rregullta.
Ka thënë tutje se në Telekom s’ka nevojë për punëtorë të rinj.
HRW: Kufizimi i ujit në Gaza nga Izraeli përbën një akt gjen...
Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama ndan fotot: U mbështet p...
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj