Ismajli: Në Vetëvendosje, nuk ka demokraci

00:08 | 14 Mars 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, për momentin, Fisnik Ismajli, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se aktivistët e kanë bërë të duket se ka demokraci në parti, por sipas tij, në VV nuk ka demokraci.

Duke folur për ndarjen e Vetëvendosjes, deputeti Ismajli ka thënë se pakënaqësitë në organizatë kanë filluar në fillim të vitit 2016. Ai ka thënë se një ideal i ka mbajtur bashkë anëtarët kryesorë të partisë, por sipas Ismajlit, ai idealë është zhdukur.

“Duhet të pranojmë që edhe ne e kemi bërë të duket se ka njëfarë demokracie në Vetëvendosje, por nuk ka pasur, sepse janë krijuar pakënaqësitë me kohë dhe dikur u pa që kurrkush s’po ua pyet letrat, filluan pakënaqësitë. Unë kam qenë kundër publikimit të gjërave të brendshme. Kur e kam marr vesh për këto ndarje, unë isha ai që dola te dera kryesore edhe u thash ‘nuk keni me dal prej këtu pa u sqaruar edhe nëse duhet të qëndrojmë deri në mëngjes. Njerëzit filluan të dilnin nga dera e vogël. Unë kam tentuar t’i pajtoj”, ka thënë Ismajli.

“Ish dashur të jetë normale një ndarje dhe të vazhdohet secili rrugës së vet. Prej të dy palëve ka hidhërime. Neve na ka mbajtur një ideal bashkë, por kohëve të fundit ky ideal nuk ka qenë më. Pastaj kanë ndodhur mospajtimet dhe ndarja. Nëse del prej VV-së detyrimisht bëhesh njeri i keq, me këtë nuk pajtohem asnjëherë. Ka njerëz të mirë në Kosovës që nuk duan të jenë në VV, është një grup i njerëzve të cilët nuk duan të rrinë më aty. Unë jam njëri prej tyre. Unë nuk jam në mes, nuk dua të rri në një organizatë të tillë”, ka thënë deputeti Ismajli kur është pyetur pozicioni i tij në parti.

Ismajli ka treguar se vendimet në Vetëvendosje i merrte Albin Kurti edhe pa qenë kryetar, me një grup të vogël njerëzish afër vetes derisa para zgjedhjeve ishte propozuar një kryetar konsensual për të mundësuar pajtimin.

“Vendimet i merrte Albini me një grup të vogël, prapë i kam qëndruar besnik vendimit edhe pse nuk jam pajtuar me të. Ishte propozuar kryetar neutral, është dashur të ketë një kryetar neutral para zgjidhjeve. Deri të bëhet pajtimi, e merr një kryetar konsensual. Ishte propozuar Glauk Konjufca”, ka thënë Ismajli që ka sqaruar se me këtë propozim ishte pajtuar deputeti Dardan Molliqaj, por një qëndrim të njëjtë nuk kishte pasur edhe Kurti.

“Nëse ulesh dhe thua OK, po e bëjmë Glaukun, atëherë tregohet vullnet i të dy palëve, deri në këtë moment kam parë vullnet vetëm nga Dardani. Po propozoj me ndryshuar kahjen, po ankohen njerëzit. Ai [Kurti] nuk ka dashur ta pranojë që ka probleme. Mënyra sesi është paraqitur Dardani si puçist. Qysh mundet me rrëzuar dikë kur ai as nuk është kryetar i Partisë”, ka thënë veç të tjerash Ismajli.

Shkaku i kësaj ndarje Ismajli ka menduar të jap dorëheqje edhe nga posti i deputetit, por fyerjet e vazhdueshme ndaj anëtarëve që kanë kërkuar ndryshimet, e kanë shtyrë atë që të ndërroj mendje.

“Kam menduar që të jap dorëheqje, por pasi e pash se çfarë fyerjesh morëm, thash jo. Do t’i bindim se nuk jemi puçistë, e SHIK-istë”, ka thënë Ismajli./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme