Google ADS

Ismaili: Zemaj po nxit rrjetet kriminale

12:18 | 7 Gusht 2020
Arbresh.info

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar ministrin e Shëndetsisë, Armend Zemaj lidhur me udhëzimin administrativ për unifikimin e çmimit të barnave.

“Udhëzimi Administrativ që rregullon dhe ul çmimet e barnave kishte vetëm një qëllim: të ndalonte abuzimin me çmimet e barnave në kurriz të pacientëve. Dihet se shpenzimet më të larta në shëndetësi, këtu në Kosovë, janë pikërisht në blerjen e barnave. Udhëzimi ndalonte pasurimin e disa individëve, e varfërimin e popullit”, tha Ismaili.

Ai shtoi se nga presioni publik Zemaj e anuloi vendimin e tij pas 24 orësh.

“Por, tani ai ka vendosur ta krijojë një komision të ri që do ta bëjë plotësim-ndryshimin e këtij Udhëzimi.

Kjo nënkupton që Udhëzimi nuk do të zbatohet. Komisioni i ri do ta zvarrisë deri në pafundësi rregullimin e çmimeve. Dhe kjo do të shfrytëzohet nga kompanitë për abuzim në çmime të barnave.

Me një fjalë, Ministri Zemaj po blen kohë. Dhe, kjo blerje kohe dihet kujt do t’i shkojë në xhep dhe kujt do t’i kushtojë. Fatura e blerjes së kohës i faturohet qytetarit, e super-profitin e marrin rrjetet kriminale dhe zhvatësit e parasë publike”, theksoi Ismaili.

Ish-ministri i Shëndetësisë, tutje shtoi se është çudi që ministri i ri Zemaj, duke pezulluar një Udhëzim të përfunduar, po bëhet partner me ata që kërkuan të largohet Udhëzimi, në mënyrë që ta vazhdonin traditën e tyre të krimit dhe korrupsionit.

“Sjellja e ministrit Zemaj ndaj këtij Udhëzimi është një nxitje e rrjeteve kriminale dhe e grupeve të interesit dhe po u jep shpresë abuzuesve”, tha Ismaili.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme