Fondi për Sigurime Shëndetësore ishte premtuar nga dy ministrat paraprakë, por nuk u realizua. E ministri aktual i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nuk jep premtime pa mbulesë.
Në një bisedë për Ekonomia Online, kreu i MSh-së thotë se “do të tentojnë” që mbledhja e premiumeve ose kontributeve të nisë si pilot-projekt në fund të vitit 2018 për të parë sesi mund të funksionojë.
“Që të jetë plotësisht funksional do të kërkojë dy vite”.
Ministri i Shëndetësisë deklaron se ky proces kërkon përgjegjësi të madhe pasi në pyetje janë para të mëdha dhe duhet siguruar që paratë nga Fondi i Sigurimeve të mos shkojnë në xhepa të dikujt, por të shkojnë në të mirë të shëndetësisë.
“Më vjen keq më duhet mua të premtoj këtë; kisha pasë shumë qejf që kjo punë të ishte kryer shumë më herët, për arsye se ne jemi populli i vetëm në rajon pa një fond të till] dhe jemi të ekspozuar shumë financiarisht. Mungesa e sigurimeve shëndetësore na bën të gjithëve që të jemi më të varfër, sepse duhet të paguajmë nga xhepi ynë”.
“Kërkon kohë se është një proces shumë i madh, mbledh shumë para. Çdo njeri që është i punësuar do të paguajë 3.5%; punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet që të dy të paguajnë deri në 7% të pagës, kështu është modeluar të paktën në fillim. Pra kërkon një përgjegjësi të madhe, sepse ato para duhet të dihen ku po shkojnë dhe ku shpenzohen. Jam i interesuar që ato para me të vërtetë të shkojnë për shëndetësi, të mos shkojnë në xhepin e askujt dhe të mbesin për shëndetësi dhe për qytetarët”, shprehet Ismaili.
Nga ana tjetër, Ismaili e ka një premtim më “afatshkurtër”.
Ai beson se brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës gjendja me barna do të përmirësohet dukshëm. Ai ka thënë se kanë vërejtur se shpeshherë në të kaluarën, barnat nga MSh-ja ose Shërbimi Spitalor janë blerë më shtrenjtë sesa që shiten me pakicë nëpër barnatore. Andaj, ai ka angazhuar për herë të parë një komision i cili do të merret me krahasimin e çmimeve.
“Kam kërkuar nga Ministria që sa herë të blejë barna të dalë në treg dhe ta bëjë një hulumtim, ta bëjë një krahasim. Në qoftë se ne do ta blejmë një bar, të them një ampulë, ta shohim se sa shitet ai bar në Kosovë, në barnatoret tona, dhe mandej krahas atij çmimi ne do të kërkojmë ta blejmë me atë çmim ose më lirë, e jo çmimet të jenë disafish më të larta”, thekson Ismaili.
“Nuk pres që të zgjidhet për një ditë, por do të shohim përmirësim nga muaji në muaj. Besoj në 6 muajt e parë të 2018-ës, do të kemi përmirësim të dukshëm sa i përket furnizimit të barnave, sikurse dhe blerjes së barnave nga Ministria e Shëndetësisë”.
Krahas përmirësimit të furnizimit me barna, Ismaili premton se edhe infrastruktura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të modernizohet.
Pikënisje do të jetë një pjesë e emergjencës së vjetër.
“Për infrastrukturë, e kemi bërë bashkë buxhetimin me ShSKUK-në (Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës). Ne kemi një vijë buxhetore që quhet modernizimi i spitaleve tona. Dhe ne do të modernizojmë spitalet tona, do t’i bëjmë të duket infrastruktura më mirë, të investohet në to, që qytetari ynë, por edhe personeli mjekësor, ta ketë një vend ku realisht duket se është spital, e jo një vend i cili ka tavane të prishura, tualete që nuk funksionojnë, ose dyer që nuk hapen ose mbesin të hapura… Të gjitha këto e rëndojnë edhe ambientin për personelin mjekësor, por në anën tjetër edhe me të vërtetë nuk duket një pasqyrim i spitalit”, shprehet ministri i Shëndetësisë.
“Prandaj unë kam filluar me projektin e modernizimit. Do të fillojmë me emergjencën e vjetër. Do të bëjmë investime në janar, besoj do të lirohet deri kah fundi i shkurtit dhe do të shohim, do ta ndryshojmë, do të ketë shumë një dallim të madh. Do të ketë pritore, ku njerëzit do të jenë në gjendje me pritë, do të ketë recepsion të hapur, jo recepsion të mbyllur ku nuk mund ta pyesësh një infermier për një informatë”.
“Ky model do të shpërndahet në të gjitha klinikat tona, në spitalet tona do të ketë modernizim të spitaleve në mënyrë që Kosova të ketë me të vërtetë infrastrukturën që i takon dhe kontinentit ku është – në këtë rast Evropës”, thekson mes tjerash ministri Ismaili, në këtë intervistë për EO.
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...