Ismaili pret në takim ekspertët e IFC-së dhe Bankës Botërore, flasin për bashkëpunimin e ri për Shërbime Financiare Digjitale

09:05 | 14 Mars 2024
E.H

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili së bashku me ekipin e tij, priti në takim ekipin e ekspertëve të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (International Finance Corporation – IFC) dhe Bankës Botërore për të diskutuar rreth mundësisë se bashkëpunimit ne projektin e ri rajonal për avancimin drejt Shërbimeve Financiare Digjitale (Digital Financial Services – DFS).

Në takim ekipet e dy institucioneve diskutuan dhe u pajtuan për nisjen e bashkëpunimit dhe partneritetit te ri në këtë projekt, për të avancuar Shërbimet Financiare Digjitale në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në përputhjen e rregullativës me standardet ndërkombëtare, zgjerimin e përdorimit të shërbimeve digjitale financiare bazuar në praktikat më të mira, ngritjen e ndërgjegjësimit në nivel të sektorit financiar, nxitjen e bashkëpunimeve në mes të akterëve te sistemit financiar dhe sektorit privat, për të promovuar konkurrencën e lirë dhe inovacionin, përcjell Arbresh.info.

“Guvernatori i BQK-së duke shprehur gatishmërinë për te nisur këtë projekt, theksoi rëndësinë e modernizimit dhe digjitalizimi si objektivë e rëndësishme e Planit Strategjik të BQK-së, duke potencuar progresin e vazhdueshëm të BQK-së drejt modernizimit të sistemit të pagesave, me mbështetjen edhe të Bankës Botërore dhe partnerëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili vuri në dukje synimin e BQK-së për të avancuar drejt pajtueshmërisë me SEPA (Single Euro Payments Area), me qëllim final të integrimit në sistemin TIPS (Target Instant Payment Settlement) të Eurozonës.

Në takim gjithashtu u diskutua mbi fushat e ndryshme ku IFC mund të mbështesë sektorin financiar dhe ekonominë, duke përfshirë avancimet në fushën e nënshkrimit elektronik, aktivitetet bankare digjitale të identifikimit të klientit (Digital Onboarding) dhe iniciativat për Bankimin e Hapur (Open Banking).

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për orientim drejt metodave inovative që nxisin bashkëpunimin dhe partneritetin në mes të sektorit dhe rregullatorit. Ky projekt do te jete komplementar me asistencën teknike që BQK ka përmes Bankës Botërore për Modernizimin e Sistemit te Pagesave.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Grupin e Bankës Botërore, ku përmes institucioneve financiare te saj ka kontribuar dhe po kontribuon në ngritjen e kapaciteteve institucionale të BQK-së në fusha të ndryshme si dhe zhvillimin dhe modernizimin e sektorit financiar me ndikime te rëndësishme ne gjithë ekonominë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme