Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 në sektorin e shëndetësisë do të punësohen 300 punëtorë.
Kështu paralajmëron ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një intervistë për Ekonomia Online.
Madje, numri i të punësuarve në sektorin e shëndetësisë, mund të shtohet pas rishikimit të buxhetit.
E në fillim të vitit 2018 do të nisë të realizohet dhe një premtim i bërë nga shumë parti, tash e disa vjet. Ismaili bën të ditur se kontrata për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt do të nënshkruhet në janar. Kurse, për Spitalin e Prishtinës, “lopata e parë“ do të hedhet nga fundi i vitit.
“Në gjashtëmujorin e parë ne do t`i marrim 300 punëtorë në sistemin shëndetësor. Dhe besoj që edhe gjashtëmujorit të dytë, gjatë rishikimit, ne do të marrim po ashtu një numër të madh të punëtorëve për të punësuar. Me këta do fillojmë t`i përmbushim ngadalë nevojat të cilat i ka Kosova sa i përket mjekëve dhe infermierëve”, tha Ismaili.
E gjithë kjo, sipas kreut të MSH-së, do të bëhet në mënyrë që të mos lejojnë personat të cilët përfundojnë fakultetin në Kosovë të kërkojnë punë jashtë vendit.
“Me kalimin e kohës, gjithnjë do të ketë numër të mjekëve dhe numër të infermierëve të cilët do të shtohen, për arsye se e kemi numrin më të vogël në rajon. Prandaj ne duhet të marrim njerëz të cilët kryejnë fakultetin në Kosovë të mos dalin jashtë vendit por të gjejnë punë në Republikën e Kosovës”.
Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj para disa jave ka paralajmëruar rritje të pagës së sektorit publik prej 5%, mirëpo kjo rritje prej 5% nuk iu ka pëlqyer edhe aq sindikalistëve të cilët kanë premtuar protesta në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre për rritje prej 15% të pagave.
I kënaqur me rrogat aktuale të mjekëve nuk është as ministri Ismaili. Ai ka thënë se krahas investimeve të tjera që do të bëjë në shëndetësi do të kujdeset edhe për rritjen e pagave të tyre, duke shtuar se ato do të jenë të ndërlidhura me kualitetin që i ofrohet qytetarëve.
Ndërsa, sa i përket pakënaqësisë së shprehur për rritje të vogël të rrogave, Ismaili ka thënë se është në diskutim me sindikalistët në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme edhe për ta por edhe për buxhetin e Kosovës.
“Unë jam në diskutim me ta, kam vazhduar diskutimin social që e quajmë me sindikatat në mënyrë që të bëjmë një zgjidhje që është e kënaqshme edhe për ata por edhe e pranueshme për buxhetin e Republikës së Kosovës. Edhe unë nuk jam i kënaqur me pagat të cilat ata i marrin sot, prandaj do të bëj çmos, siç thashë që krahas investimeve në infrastrukturë, investimeve në barna, investimeve në pajisje, krahas kësaj të ndihmojë edhe në rritjen e pagave. Mirëpo më duhet të them që rritja e pagave duhet të jetë e ndërlidhur edhe me kualitetin që ua japim qytetarëve”, shtoi ai.
Premtim nga secili parti që kishte ardhur në pushtet kishte edhe për projektet për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, sikurse dhe atë në Ferizaj. Mirëpo, sipas të parit të MSh-së, këto dy projekte janë pothuajse në përfundim e sipër. Për Spitalin e Ferizajt, Ismaili është duke pritur të nënshkruajë kontratën dhe kjo pritet të bëhet në javët e para pas pushimit dimëror.
“Spitali i Ferizajt, të them, është zvarritur për vite me radhë. Ai spital është një kërkesë e madhe e qytetarëve, por edhe e Komunës, por është zvarritur për një kohë shumë të gjatë. Është në përfundim e sipër. Thuhet se është ekzekutimi i disa dokumenteve të fundit, të cilat janë duke u bërë dhe jam duke e pritur lëndën që të më vijë për nënshkrim. Është çështje, besoj e javës së parë pas pushimeve që të ndodhë. Kjo është punë e kryer”.
Ndërsa për spitalin e kryeqytetit, Ismaili tha se në këtë vit do të hedhet “lopata e parë në themel”, duke shtuar se paraprakisht do të duhen deri në 8 muaj për të përfunduar projekti dhe caktimin e vendit ku do të ndërtohet.
“Ne e kemi buxhetuar për vitin 2018. Si të fillojë viti 2018 lirohen fondet. Ne do të fillojmë projektimin e Spitalit të Prishtinës, natyrisht do të kaloj 6-8 muaj për projektimin, për vendin e gjitha këto, por e rëndësishme është që posa të përfundojë projektimi do të fillojmë me ofertat për ndërtimin e saj. Gjatë vitit 2018 ky do të fillojë punën e për përfundimin e saj varet nga afatet kohore të cilat i jep edhe ministria, por edhe punëkryerësi edhe nga projekti si na dalin datat”.
“Në vitin 2018 do ta shohim lopatën e parë, do të fillojmë themelet e spitalit të Prishtinës”, tha Ismaili.
Për Ismailin, muajt e parë në detyrë nuk kanë shkuar edhe aq mirë. Qysh në fillim të marrjes së mandatit, ai u përball me rastin e vdekjeve të dyshimta në QKUK për të cilat është konstatuar se kanë ardhur si rezultat i gazit oksidil, gaz për të cilin kompania kontraktuese kishte licencë vetëm për importim e jo për prodhim.
Ndonëse thotë se për kontraktim të gazit është përgjegjës Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), kreu i MSH-së thotë se do të kërkojë përgjegjësi për këtë çështje nga organet kompetente.
“Dhimbjet janë shumë të mëdha në rastin e vdekjeve, janë dhimbje për familjarët, janë dhimbje për sektorin e shëndetësisë, janë dhimbje për spitalin e QKUK-në, sepse mes tjerash e humb besimin e madh të cilin e ka pasur. Dhe unë do të kërkoj dhe kam kërkuar gjithnjë nga organet, nga prokuroria që të mos lëshojnë pe fare, pa marrë parasysh kush është. Unë nuk i di as emrat, nuk më intereson as kompania, nuk më interesojnë emrat, kushdo që është përgjegjës, qoftë në QKUK qoftë jashtë QKUK-së, le të merret prokuroria dhe ta marrë para drejtësisë. Ky është vullneti im, besoj edhe vullneti politik i të gjithë personave janë të ndërlidhur me këtë rast”.
Përveç se është informuar se tani furnizimi me gaz bëhet nga një kontraktor i licencuar, ministri Ismaili nuk di detajet e kontratës dhe pjesës tjetër të marrëveshjes.
“Gazi nuk është kontraktim i Ministrisë së Shëndetësisë, është kontraktim i ShSKUK-së dhe ata e kanë bërë kontraktimin. Qysh më kanë dhënë informatë, është se tani kanë një kontraktor i cili është i licencuar për gaz. Kjo është informata e vetme që e di”.
“Zgjedhjet në PDK për ta rigjeneruar vetveten”
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili është dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i pyetur nga EO për zgjedhjet e paralajmëruar brenda partisë, ka thënë se në parti është paraqitur dëshira për rigjenerim të strukturave dhe se kjo është bërë përpara se vendi të hynte në zgjedhjet lokale.
Në këto zgjedhje, PDK-ja fitoi pesë komuna: Drenasin, Ferizajn, Shtimen, Kaçanikun dhe Dragashin.
“Zgjedhjet vijnë si rezultat i një dëshire, i një dinamizmi që gjithnjë e ka PDK-ja për ta rigjeneruar vetveten. Ne e dimë se në qoftë se një organizatë, çfarë do organizate, nuk rigjenerohet, nuk merr talentë të rinj, nuk merr ide të reja brenda saj, ajo do të shkojë duke u vjetruar dhe duke mbetur mbrapa”, shprehet Ismaili./EO/
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...