Ismaili: Në shëndetësi gjithçka është vonuar, kemi nevojë për një sistem funksional

14:43 | 22 Shkurt 2018
M. A.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se ndryshimi më i madh në shëndetësi është ndryshimi i mentalitetit ku i jepet prioritet vetëm me fjalë. Ismaili deklaron se në shëndetësi gjithçka është e vonuar dhe po punohet për ta krijuar një sistem funksional.

Ka më shumë se pesë muaj në pozitën e ministrit të Shëndetësisë dhe Uran Ismaili konsideron se ndryshimin më të madh që ka arritur gjatë kësaj kohe është krijimi i mentaliteti për ta vlerësuar shëndetësinë si shtyllë të rëndësishme të shoqërisë.

Këtë thotë se e ka arritur nëpërmjet rritjes së buxhetit, shtimit të personelit mjekësor në QKUK dhe Spitale të Përgjithshme, si dhe arritjes së disa marrëveshjeve për donacione.

“Ndryshimi i kësaj qasje ka qenë punë e rëndësishme sepse ky mentalitet tani ka mundësi të sjellë resurse tjera, buxhet shtesë, donatorë”, shprehet Ismaili në një intervistë për Gazeta Shneta.

Ai thekson edhe disa ndryshime që janë bërë në Qendrën Klinike Universitare, si rregullimi i parkingjeve, ngritja e disiplinës në punë si dhe funksionalizimi i shërbimeve 24 orëshe në Klinikën e Kardiokirurgjisë dhe Onkologjisë.

“Prej tani mund të vërehen ndryshimet në QKUK, të cilën e konsiderojmë qendrën më të rëndësishme për shërbime shëndetësore, qendër humane, por edhe barrë të madhe dhe me më së shumti kritika. Por ky është vetëm fillimi i ndryshimeve, është ndryshuar klima dhe pritet të ndryshojnë edhe shërbimet”, ka deklaruar Ismaili.

Kur erdhi në pozitën e ministrit, ai tha se e gjeti këtë dikaster me ushtrues detyre në pothuajse të gjitha pozitat e larta. Shpalljen e konkurseve ia kishte vënë vetës si një nga prioritetet, por gjendja mbetet e njëjtë akoma. Ismaili thotë se i është dashur të presë në mënyrë që shpallja e konkurseve të mos konsiderohet si politike për ndërrim pozicionesh dhe zotohet se do të përfundoj deri në fund të marsit.

Ismaili vazhdimisht është mburrur për rritjen e buxhetit për blerjen e barnave, por megjithatë barnat e Listës Esenciale po mungojnë në shërbimet shëndetësore. Ai ka një arsyetim për këto vonesa të furnizimit.

“Problemi te barnat është se ka munguar një menaxhim i sistemit të barnave, një sistem që na tregon disa muaj më herët se cila kontratë po përfundon dhe duhet ta rishpallim. Tani drejtori i ri i Fondit të Sigurimeve ka krijuar një sistem të ri ku janë futur të gjitha kontratat. Ajo që është parë, është se të gjitha kontratat që kanë qenë valide, kanë ardhur në përfundim dhe kjo ka shkaktuar mungesën e barnave. Sa kam marr informata se shpallja e ofertave për furnizim do të fillojë nga kjo javë dhe do të përfundojë me një afat të shkurtuar”.

“Mendoj se furnizimi do të ndryshojë brenda 25 ditësh”, është zotuar ai.

Sipas Ismailit, ky sistem i ri do të njoftoj zyrtarët përgjegjës pesë muaj para skadimit të kontratës, gjë që do shmangë vonesat e procedurave të prokurimit, shkruan Gazeta Shneta.

“Furnizimi i barnave po funksionon me cikle, po furnizohet një kohë dhe pastaj po mungojnë. E di që ekziston ky problem i madh, por qëllimi jonë ka qenë që të krijohet një sistem i stoqeve që na tregon për kontrata dhe të bëhet një linjë furnizimi ku nuk do të ketë më ndërprerje”, thotë ministri.

Ndryshime do të bëhen edhe tek distribuimi i barnave. Nëpër klinika do të vendosen lista të barnave të cilat furnizohen nga MSH, në mënyrë që edhe pacientët të njoftohen se cilat barna mund t’i marrin falas.

“Kjo do të shmangë mundësinë që dikush të përshkruaj barna për blerje, e që të njëjtat janë në listë. Pacientët do të mund ta shohin listën dhe të kërkojnë ato barna që iu përshkruhen”, ka shtuar ai.

Ismaili deklaron se që kur ka ardhur në MSH ka vërejtur procese të deformuara për blerjen e barnave, nga zotimi i mjeteve e deri te shpërndarja e tyre. Kjo sipas tij ka rezultuar me pagesa tre fish më të larta sesa çmimi i tregut dhe sipas tij është duke u punuar që të gjendet zgjidhja për të mos dëmtuar paranë publike.

“Gjatë viti 2018 do të kemi një sistem të furnizimit të barnave ku do t’iu jepen barna kualitative të gjithëve brenda Listës Esenciale”, ka deklaruar Ismaili.

Masterplan për QKUK-në për investime afatgjata

Ministri Uran Ismaili ka bërë të ditur se është në negociata me një donator për të bërë një masterplan për QKUK-në i cili do të vendoste kornizat e investimeve kapitale afatgjate. Kjo sipas tij do të mundësojë që të ketë investime të menduara mirë dhe jo vetëm sa për sy e faqe nga klinika në klinikë.

Ai ka thënë se sivjet do të ketë investime nëpër klinika e spitale, porse ato do të jenë më shumë sipërfaqësore.

“Aktualisht do të rinovohet Emergjenca sepse njerëzit nuk kanë as ku me prit. Do të bëjmë disa rregullime në të gjitha spitalet dhe qëllimi është që një spital të jetë më miqësor ndaj pacientit”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se qytetarët e Prishtinës janë duke u diskriminuar nga mungesa e një spitali, pasi një të tillë e kanë pothuajse të gjitha rajonet tjera dhe ndërtimi është në planet e tij.

Në shëndetësi gjithçka është e vonuar

“Tregimi i sektorit të shëndetësisë, është tregimi i vonesave. Kudo që prek diçka është vonuar me vite”, kështu e përshkruan Ismaili gjendjen në shëndetësi, kur bëhet fjalë për ndërtimin e spitaleve të reja, shkruan Gazeta Shneta.

Për ndërtimin e Klinikës së re të Pediatrisë në QKUK, marrëveshja ndërmjet ish-Presidentes Atifete Jahjaga dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, parashihte të përfundonte në vitin 2017. Ismaili thotë se zyrtarë nga EBA është dashur të vini në fillim të muajit shkurt dhe për këtë thotë se do të kërkojë një përgjigje zyrtare edhe nëpërmjet Ambasadës së Kosovës atje.

“Nëse ka probleme, ne jemi këtu për t’ua zgjidhur ato. Kam kërkuar të di përse nuk po ndërtohet ky spital dhe nëse ka ndonjë interes të dikujt, atëherë ne do të marrim masa t’i largojmë ato pengesa. Spitali për fëmijë duhet dhe do të bëhet, sepse nuk mund te mbetemi peng e atij investimi”, ka deklaruar ai, duke shtuar se donatorët janë të njoftuar për vonesat pasi për këtë kishin biseduar edhe gjatë një vizite me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ismaili ka bërë të ditur se aparatura e angiografit do të vijë brenda 2 muajsh në Klinikën e Kardiologjisë Invazive. Ai thotë se ka filluar procedura për ofertim për realizimin e disa specifikave të kërkuara.

“Kjo pasjije e re do të minimizojë listën e pritjes. Për momentin është dekurajuese për pacientët që presin për stentim”, thotë ai.

Ministri është zotuar se do të ketë shtim të numrit të mjekëve varësisht nga nevoja nëpër spitale. Ai ka thënë se do të krijohet një databazë për shpenzimet për shërimin e pacientëve jashtë vendit, gjë që ka munguar deri më tani.

“Kjo databazë do të përdoret për të parë se cilat sëmundje mund të shërohen brenda Kosovës dhe çfarë pajisje nevojiten. Vitin e kaluar janë subvencionuar rreth 14 milionë euro dhe nëse gjysmën prej tyre do t’i shpenzonim në pajisje do t’i kishim punët më mirë. Në një klinikë më than se nëse do ta kishim një pasjisje e cila kushton 200 mijë euro, atëherë nuk do të kishte nevojë t’i dërgonim pacientët jashtë vendit”, është shprehur Ismaili.

Ai ka thënë se pajisje të reja do të vijnë nga granti japonez 1.1 milionësh, janë në pritje për disa pajisje edhe nga Italia, ndërsa SHSKUK është duke bërë planin për blerjen e disa të tjerave.

“Dërgimi i pacientëve jashtë vendit, i sjellë profit dikujt tjetër por i gjeneron kosto të madhe shtetit dhe qytetarëve”, ka thënë ai.

Ismaili ka deklaruar se do të vazhdojë përkrahjen për SHSKUK-në, pasi siç thotë nuk mund të bëhet shëndetësia pa mjekët.

“Po punojmë për përmirësimin e kushteve në punë, për rroga më të mira për personelin shëndetësor, si dhe për furnizim të rregullt me barna. Unë pres që të gjithë të bëjmë punën që na takon. Kemi mbështetje të ndërsjellë, por edhe përgjegjësi, edhe punë më shumë. Mjekët dhe gjithë stafin shëndetësor i shoh si partnerë në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët”, ka deklaruar Ismaili.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme